Sabit Brokaj, Nderi i Qarkut Vlorë/ Ceremonia për "profesorin" nxjerr në publik Gramoz Ruçin e Namik Doklen, u bashkohet dhe Bujar Leskaj
Ceremonia për nderimin e Sabit Brokajt, Nderi i Qarkut Vlorë pas vdekjes riktheu në publik si rrallë herë vitet e fundit, Gramoz Ruçin dhe Namik Doklen. Ish-kryetari i Kuvendit, tregoi mendimin e profesorit, siç e quanin Brokajn, për debatet e forta politike.
Mjeku dhe politikani, Sabit Brokaj, u nderua me titullin “Nderi I Qarkut Vlorë” pas vdekjes.
Nderimi për “Profesorin”, nxori në publik si rrallë herë, pas tërheqjes nga politika aktive Namik Doklen dhe Gramoz Ruçin, bashkëudhëtarët e tij në Partinë Socialiste e qeverisje.
Ruçi: Unë dhe Namiku ishim partiak. Kur vinte në sallën e parlamentit gjithmonë vinte me një libër, libri ishte nga mjekësia.Kur unë dhe Namiku përlesheshim me debatet e rëndomta politike ai nuk e kishte mendjen, hapte librin në anglisht dhe lexonte nga mjekësia. Bënte sikur nuk e kishte mendjen, por e kishte mendjen fort kur diskutoheshin çështje madhore.
Ceremonisë së organizuar nga Shoqata Labëria iu bashkua edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike Bujar Leskaj, pasi kujtimi i Sabit Brokajt në Vlorë nuk lidhej me politikën.
Ruçi: Sabiti sa dukej aq i egër sa i përket pozicioneve partiake ishte dhe aq human, i gjerë në shpirt, zemër dhe mendim. I tillë ishte Sabiti prandaj Bujari nuk mund të mungonte.
Sabit Brokaj ishte Ministër i Mbrojtjes gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe për kontributin e tij është shpallur Veteran i UÇK-së.
Por Xhavit Haliti, si bashkëthemelues i UÇK-së, thotë se Sabit Brokajt ende nuk i janë bërë të gjitha nderimet që meriton.
Haliti: Edhe Kosova edhe shqiptarët në Maqedoni duhet ti japin një dekoratë të përafërt.
Me profesion mjek, deputet prej vitit 1991, Sabit Brokaj ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë dhe ministër i Mbrojtjes në vitet 1997-1999.
Ai u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, në shtator të vitit 2020.

