Rrufeja i shkrumbon bazën ushqimore fermerit në Fier: Kam 10 lopë pa ushqim, shteti të më ndihmojë

Moti i keq që përfshiu vendin ka lënë pas dëme të shumta.

Ndërsa Tropoja njohu përmbytje që si kishte parë prej 20 vitesh, në fshatin Kallm të Fierit fermeri Agim Dogani humbi gjithë ushqimin e dimrit për bagëtitë.

Rrufeja i vuri flakën, duke shkrumbuar më shumë se 3 mije dëngje me bazë ushqimore për bagëtitë, bar e tërshërë. 

Fermeri deklaron se dëmi i shkaktuar shkon në më shumë se 3 milionë lekë të rinj.

"Zjarri ra në 12:30. Vetëtima goditi në mes, flaka ishte e papërmbajtshme. 2300 dëngje jonxhë, pjesa tjetër kashtë e tërshërë. Kemi punuar tërë vitin, janë 30 milion lekë vlera monetare. Kam 10 lopë.Erdhi fshati dhe zjarrfikësja por ishte e pamundur.Hera e parë që ndodh këtu në fshat. Është një dëm kolosal".

 Ai apelon për ndihmë pasi bagëtitë mbeten pa ushqim.

"Djersa e tërë vitit që kemi punuar iku për 5 minuta. I bëj thirrje shtetit të më ndihmojë. E dua ndihmën shpejt. S'kam ku të shkoj nesër."