Partitë shfrytëzojnë hapësirat, Gogo: Financimi nga jashtë për partitë i ndaluar me ligj
Klasa politike është përfshirë në debat pasi qeveria amerikane publikoi të dhëna nga një raport i komunitetit amerikan të zbulimit mbi financimet ruse në dhjetëra vende, mes të cilëve edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë përmes kompanive fantazmë.
Premto Gogo, ekspert për çështjet zgjedhore, i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se me ligj ndalohen donacionet dhe financimet e huaja por partitë shfrytëzojnë hapësirat në ligj për manovra të tilla.
Gogo: Dhurimet që i shkojnë partive është një gjë. Në legjislacionin tonë burimi që mund të vijë nga OJF është totalisht i parregulluar, lejohet dhe është një shteg tjetër ku mund të financohen me para të pista partitë. Por fondet nga jashtë për financim në para për partitë politike është e ndaluar, e parashikon jo vetëm kodi zgjedhor por edhe ligji i partive politike. Por duhet të jemi të qartë që nëse janë dhurime që vijnë nga shtetas shqiptarë që janë rezidentë jashtë përjashtohen.
Por sa deklarojnë partitë politike dhe sa janë shpenzimet reale të tyre?
Gogo: Buxheti i shtetit këtë vit ka qenë 120 milion lekë, dyfishi se ka qenë 60 mln lekë. Për një parti politike nuk lejohet të jetë më shumë se trefishi që ka marrë partia më e madhe, që në këtë rast ishte PS. Vetëm me deklarimet, përfshirë dhe shpenzimet e bëra PS e ka tejkaluar tashmë diku 5 milion lekë këtë limit. KQZ duhet ta dënojë me gjobë.
