Gazetari Karaj: Pensionistët menaxhuesit më të mirë të parave, rritja me 6% e pamjaftueshme
Gazetari dhe moderatori i emisionit "Ora Juaj", Klodi Karaj, në një intervistë për Ora News është shprehur se të shumtë janë pensionistët që telefonojnë në emisionin e tij ku ankohen për pensionet e ulëta.
Ai thotë se pensionistët janë menaxhuesit më të mirë të parave por se rritja me 6% e pensioneve nga qeveria është pamjaftueshme për ta.
Karaj: Ajo që unë do të thoja është që edhe nëse do të rriten pensionet 100% për një ish koperativist bujqësor nuk do të mjaftonte asnjëherë për të përballuar kostot e jetesës. Pse? Çfarë mund të bëjë një pensionist me 70 mijë lekë sot dhe nëse i rritet 100% nesër me 140 mijë lekë të vjetra. Ndaj them janë menaxhuesit më të mirë megjithatë nëse ata nuk do të kenë të afërmit e tyre, fëmijët, dhe burime të tjera për të kaluar muajin unë them që nuk do t’ia dilnin dot. Ka ardhur koha që krahas rritjes herë pas here të pagës minimale në Shqipëri ,qoftë për administratën apo dhe për punonjës të tjerë do të ishte shumë mirë që kjo gjë të shikohej dhe tek pensionistët, pra të mos mjaftohen vetëm 2.7%, 3.5%, 6.5% qoftë edhe 10% sepse asnjëherë nuk do të mjaftonte.