Kuvendi i Serbisë miraton raportin për dialogun me Kosovën

4/5 e deputetëve serbë kanë miratuar raportin për dialogun me Kosovën debat i cili ka zgjatur rreth 25 orë. Në dokumentin 50 faqësh të prezantuar nga presidenti Vuçiç nuk përfshihet njohja reciproke.

Deputetët serbë kanë miratuar mëngjesin e së enjtes raportin për dialogun me Kosovën i cili është prezantuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

Pro miratimit të dokumentit të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e Prishtinës’, votuan 205 deputetë, ndërsa kundër ishin 57.

Raporti përbëhet nga 50 faqe në të cilin renditen kapitujt për asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, tryezën ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit që gjenden në fund të dokumentit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë dhe u mori ligjvënësve rreth 25 orë.

Gjatë prezantimeve të tij, presidenti serb tha se nuk do ta njohë kurrrë pavarësinë e Kosovës.

Ai po ashtu shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën.

Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.