"Jashtë Matriksit" nga e hëna në të premte në Rtv Ora, Cako: Kush ka qëndruar afër Ramës po "përvëlohet"

Duke nisur nga e hëna, 12 shtator, Alfred Cako do të vijë në ekranin e Rtv Ora me emisionin e tij "Jashtë Matriksit".

Programin e ri në Rtv Ora do të keni mundësi ta ndiqni nga e hëna në të premte, në orën 19:30.

I ftuar në në intervistën e mbrëmjes me gazetaren Beti Njuma, Cako komentoi edhe zhvillimet e fundit politike.

Për aksionin më të fundit të qeverisë për ndërtimet pa leje ai kishte këtë koment.

Cako: Këto nuk është se nuk i ka ditur qeveria, mendoj se mund të ketë pazare të prishura. Këta që i kanë ndenjur shumë afër janë duke u përvëluar këto kohë sepse ai ka si model dhe idhull të tij Enver Hoxhën.Enver Hoxha të gjithë ata që pati pranë i goditi dhe i sulmoi. Edhe ky bën të njëjtën gjë. Ka një luftë për pushtet në Olimpin e të majtës, bëhet lufta për trashëgiminë në PS. Është një luftë mes dy Sorosve. Sorosi plak ka Ramën si idhullin e vet në Shqipëri dhe Sorosi i ri ka Erion Veliajn. Rama është lidhur me klanin e Kukësit dhe po lufton kundër Erion Veliajt. Në këto dalje ka krijuar një gardh të fortë me kuksianët me këtë Dallëndyshe Bicin dhe ministren Balluku që është në luftë të heshtur dhe të hapur për të marrë fronin e kryebashkiakut të Tiranës. Mendoj se Veliaj i ka kuotat më të larta në vëllazëri se Rama. Rama do ta humbasë luftën me Veliaj sepse brenda vëllazërisë Sorosiane i ka kuotat më të larta. Rama do tërhiqet dhe do lërë si kandidaturë Erion Veliaj, ky është një bast që e vë këtu me të ardhmen.

Cako thotë se Sorosi ka tentuar dhe ja ka dalë deri diku të kontrollojë dy partitë e mëdha në vend.

Cako: Sorosi e ka mbajtur gjithmonë një dorë dhe në revani dhe në bakllava. Janë përpjekur ti kontrollojnë të dyja partitë, ja arritën me të majtën kur Nano dorëzoi çelësat e partisë për delfinin e tyre Edi Rama që e sollën nga Franca. Menduan se fituan dhe në krahun e djathtë kur vendosën Lul Bashën por Berisha për shkaqe të cilat nuk mund ti shpjegoj, ndoshta nga etja e madhe që ka për pushtet, e kontrollonte Bashën. Kjo luftë e heshtur shpërtheu. Sorosi përmes DASH i shpalli luftë Berishës duke e goditur në kodin moral dhe jo vetëm personalisht por me gjithë familjen. Lufta ndaj tij nuk është për shkaqe parimore por pushteti.

Mazhoranca është investuar me nisma konkrete në Kuvend për të nxjerrë jashtë skenës politike Berishën dhe Metën. Por a do ta arrijë këtë gjë?

Cako: E kisha parashikuar këtë gjë. Në rastin e  largimit të ish-kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, kur më pyetën cila është arsyeja e largimit u thashë se do bëjnë një ligj për dekriminalizimin për të larguar Berishën nga politika si ish-komunist. Ligjet nuk janë prapavepruese dhe do ishte rast i paprecedent nëse do ta bënin. Në politikë ky ligj quhet i bërë nga rrobaqepësi sipas dëshirës së tyre.

Rënien e qeverisë në gropat që ka hapur vetë e sheh të vështirë, por thotë se Rama do të lëshojë bashkëpunëtorët sa herë ti rrezikohet pushteti.

Cako: Përmes kësaj afere u shit dhe Butrinti. Rama i ndjerë i kërcënuar nga ata që e kanë sjellë në pushtet, sidmos për shkak të incineratorëve, është në gjendje të bëjë çdo gjë me kushtin që ta lënë të qetë në pushtet dhe ta lënë të qetë edhe pasi ai të largohet nga pushteti. Drejtësia sot kontrollohet nga ata që e bënë. U bë me kompromis mes Berishës, Metës dhe Fabianistëve apo të majtëve të tyre këtu në Tiranë me premtimin se nuk kemi asgjë me ju, këto do jenë për ata që do vijnë më pas. U dhanë një kobure kundërshtarëve të tyre që sot po qëndron mbi kokat e tyre. Sot mund të jenë penduar shumë që bënë lëshime kaq të mëdha dhe që ikën nga Parlamenti.Drejtësia sot përdoret vetëm nga njëra palë kundër palës tjetër, duket qartazi se nuk ka një drejtësi të ndershme.