Rama: Ka drurë të shtrembër në polici që duhen prerë, drejtësia e kalbur liron kriminelët

Edi Rama në një dalje për mediet nga ministria e Brendshme u shpreh se është sjellë një politikë të re me policinë e shtetit, qysh me rekrutimin që bëhet pa parti, pa ryshfet, pa krushqi e deri tek shkollimi.

Ai tha se ka edhe drurë të shtrembër në policinë e shtetit që shtrembësia ka rënë në sy edhe periudhën e fundit që duhen prerë.

Rama: Kemi sjellë një politikë të re me policinë e shtetit, qysh me rekrutimin që bëhet pa parti, pa ryshfet, pa krushqi e deri tek shkollimi që është rikthyer në sistem, e deri tek trajnimi dhe monitorimi i tyre, pa folur për pagat dhe uniformat. Pagat ka ardhur koha që t’i rrisim menjëherë, sidomos për nivelin bazë.

Thënë kjo, nuk ka pasur kurrë në historinë policisë së shtetit, një raport si ky që kemi vendosur; një raport besimi dhe respekti, me një mbështetje të plotë politike për drejtuesit e policisë së shtetit. Është fakt se ka edhe drurë të shtrembër që shtrembësia ka rënë në sy edhe periudhën e fundit që duhen prerë, prandaj kemi shumë punë drejt asaj maje ku duam ta ngjisim këtë trupë.

Policia vazhdon që t’i paguajë kusure plot një drejtësie të kalbur dhe të korruptuar që po pastrohet nga lart-poshtë. Por poshtë, aty ku merren vendime të përditshme në lidhje me policinë e shtetit është e mbytur nga llumi. Sa raste ka që mund të numërohen nga drejtuesit e policisë kur policia ka harxhuar kohë dhe energji, madje edhe ka rrezikuar jetën për t’iu hedhur hekurat atyre që gjykatat u ka rrahuar shpatullat.