Rusët gjejnë aleat të ri/ Inteligjenca amerikane: Rusia po blen raketa dhe predha nga Koreja e Veriut

Rusët po blejnë armatim nga Korea e Veriut, ka njoftuar agjencia amerikane e inteligjencës. Rusët po vuajnë nga mangësitë në arsenal për të përballuar luftën në Ukrainë. Më herët ata blenë disa drone nga Irani.

Ajo që nisi nga ana e Kremlinit si një shëtitje në Ukrainë, është kthyer në makth për Moskën.

Së fundmi, Rusia po blen armë nga Korea e Veriut, njofton inteligjenca amerikane.

Mungesa e arsenalit dhe bllokada e fortë perëndimore ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, e ka detyruar Moskën të kërkojë partner të rinj për të fuqizuar arsenalin e saj ushtarak.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Zyrtarë të administratës Biden njoftuan se sanksionet po japin efektin e tyre. Aftësia e Rusisë për të mbështetur pushtimin e saj në Ukrainë është duke u zvogëluar nga java në javë. Ekonomia dhe fuqia ushtarake e Rusisë po e ndjen bllokadën e fortë amerikane dhe të aleatëve.

Më herët, administrata e presidentit Joe Biden konfirmoi se ushtria ruse kishte marrë në gusht një sasi dronësh të prodhuar nga Irani, të cilët do t’i përdorë në fushën e betejës në Ukrainë.

Amerikanët dhe aleatët ndërkohë janë të vendosur që ta mbështesin Ukrainën deri në fund me armatim dhe ndihma monetare që t’i bëjë ballë pushtimit rus.

Koreja e Veriut u bë i vetmi vend, përveç Rusisë dhe Sirisë, që njohu pavarësinë e njëanshme të Donetskut dhe Luhanskut në korrik.

Analistët e çështjeve ndërkombëtare shkruajnë se ka dyshime se Rusia dhe Kina nuk i kanë zbatuar plotësisht sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut, gjë që ka komplikuar situatën në gadishull me armatimin bërthamor të vendit komunist.