"Një hap larg një fatkeqësie rrezatimi," Centrali i Zaporizhzhias fik të gjashtë reaktorët
Të gjashtë reaktorët e centralit bërthamor të Zaporizhzhias janë fikur pas granatimeve në afërsi, teksa agjencia e OKB-së për energji bërthamore pritet të publikojë një raport para Këshillit të Sigurimit lidhur me situatën e sigurisë në këtë uzinë.
Operatori i Zaporizhzhia, Enerhoatom, tha një ditë më herët se reaktori numër 6 i centralit “u fik” për shkak të një zjarri të shkaktuar nga sulmet me artileri në rajon.
Enerhoatom tha se reaktori do të rikthehet në funksion kur të shuhet zjarri.
Të pesë reaktorët e tjerë u hoqën nga funksioni më herët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fajësoi trupat ruse për sulmet me artileri.
Por, të dyja palët vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për rreziqet që i kanosen centralit më të madh bërthamor në Evropë që është okupuar nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Sot, linja e fundit e transmisionit të energjisë, që është e lidhur me sistemin e energjisë së Ukrainës, u dëmtua për shkak të një granatimi tjetër rus”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 5 shtatorit.
“Për shkak të provokimit rus, centrali i Zaporizhzhias është një hap larg një fatkeqësie të rrezatimit”, tha presidenti ukrainas.
