Qarkullonin me armë zjarri dhe lëndë narkotike, tre persona në prangat e policisë

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë pasi janë kapur teksa qarkullonin me armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Është kapur në Fushë Krujë një 38-vjeçar me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtes pa leje, i cili qarkullonte me armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak.  Në pranga edhe një 33-vjeçar që transportonte personin që kishte armë zjarri me vete.

Gjithashtu, është kapur  në Shkodër 33-vjeçari Saed Muça, banues në Shkodër, që qarkullonte me armë zjarri dhe municion luftarak, me automjet.

“Si rezultat i kontrolleve në Fushë Krujë, nga Forcat Operacionale të DVP-Durrës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe FNSH Tiranë, u kapën në flagrancë shtetasit :  Leonard Gjeli alias L. M. alias L. N., 38 vjec, banues në Kurbin dhe Xhentil Çypi, 28 vjec, banues në Luz, Fushë Krujë”, njofton policia.

Në momentin e ndalimit, këta shtetas kanë tentuar të largohen me automjet por janë neutralizuar nga policia.

Gjatë kontrollit të shtetasit Leonard Gjeli shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve të befasishme në të gjithë vendin, janë shoqëruar dhjetëra persona me precedentë kriminal për verifikim.