"Vepër tronditëse!" Kurti dënon ashpër përdhunimin e të miturës: Autorët të marrin dënimin e merituar

Kryeministri Albin Kurti ka dënuar ashpër përdhunimin  në grup të një 11 vjeçarje, ngjarje që ka tronditur opinionin e Kosovës këta të hënë.

Në një reagim në facebook, Kurti kërkon nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejt para drejtësisë dhe autorët të marrin dënimin e merituar për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.

Kurti: Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.

Kryeministri thekson se akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.

Ai nënvizon se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale.

Nga ana tjetër ai kërkon që vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike.

Kurti: Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër.Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku.

Më 27 gusht në Prishtinë një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona. Dy nga të dyshuarit janë në paraburgim, dy të tjerë janë arrestuar pasditen e së hënës nga Policia, ndërsa i pesti është ende në arrati.

Për këtë rast kanë reaguar liderët e institucioneve, të cilët e kanë dënuar këtë akt, siç thonë, ç’njerëzor dhe kanë kërkuar “dënimin e merituar” për të dyshuarit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër dy personave, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë dhunuar një të mitur në kryeqytet.