DASH: Marrëveshja për dokumentet e identifikimit, një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Marrëveshja e së shtunës mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve të qytetarëve është përshëndetur së fundmi edhe nga departamenti amerikan i shtetit, i cili e shikon si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Shtetet e Bashkuara mbështesin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit. Në një komunikim për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se Shtetet e Bashkuara e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke.

“Arritja e zgjidhjes përmes dialogut është kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Më tej ai tha se “Bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe punën e palodhur të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që të marrin një rol aktiv dhe të ecin përpara në mënyrë paqësore”.

Marrëveshja e arritur të shtunën pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohej nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtonin nëpër Serbi në dhjetë vitet e fundit.

Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë shpresojnë që Kosova dhe Serbia të kenë një qasje konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për çështjen e targave të makinave.

Ndërkaq pavarësisht dakordësisë së arritur mes Kosovës e Serbisë, marrëveshja nuk e ka demilitarizuar veriun e vendit, pasi mediat atje raportojnë se në zonat Bërnjakut dhe Leposaviqit ka prezencë të automjeteve të blinduara të policisë së Kosovës, ndërsa KFOR-i po mban pikat e vendosura ditë më parë.