PD: “Pasaporta e artë” pjesë e planit për të mbajtur shqiptarët poshtë dhe Europën jashtë

Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Shqiperisë, Floriana Garo gjatë një deklarate për mediat tha se Edi Rama ka ndërmarrë edhe një hap tjetër që e çon para greminës sigurinë kombëtare.

Sipas PD “Pasaporta e artë”, e paraqitur si nismë për të ofruar biznesin dhe investimet e huaja, nuk është gjë tjetër veçse fundi i pafund i marrëzisë liberale të Edi Ramës.

Floriana Garo: Një qeveri që nuk ruan dot as portalin e vet të cilin ia ‘thyejnë’ disa hakera amatorë, të cilët Edi Rama Megallomani i paraqet si ‘fuqi të huaja’, ka ndërmarrë edhe një hap tjetër që e çon para greminës sigurinë kombëtare. Pasi ka shitur çdo gjë publike dhe ka bërë publike çdo të dhënë të shqiptarëve, Edi Rama ka gati pabesinë e radhës në shpinë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Pasaporta e artë", e paraqitur si nismë për të ofruar biznesin dhe investimet e huaja, nuk është gjë tjetër veçse fundi i pafund i marrëzisë liberale të Edi Ramës.

Garo u shpreh se Vendimi për të akorduar pasaporta të arta për zgëqet financiare të botës është pjesë e planit për të mbajtur shqiptarët poshtë dhe Europën jashtë.

Floriana Garo: Vendimi për të akorduar pasaporta të arta për zgëqet financiare të botës është pjesë e planit për të mbajtur shqiptarët poshtë dhe Europën jashtë. Kalimi i këtij vendimi do të thotë përplasje direkte me Bashkimin Europian dhe direktivat e tij. Do të thotë bllokim i kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë.  Edi Ramës i intereson kjo, sepse skaneri i BE mbi aktivitetin e qeverisë do t’i detektonte shenjat e gishtërinjve të tij dhe të klikës, të ndotur nëpër punët e pista dhe rrugët e së keqes, që ai ka hapur në shpinë të Shqipërisë, që nga koha kur shpalli ‘të vetmen rrugë’, tek ‘drejtimi i duhur’, për ta përfunduar Shqipërinë në krye të çdo liste të zezë globale, për faqen e tij të zezë.

Edhe Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, gjatë një interviste për DW u shpreh se këto nisma si "Pasaporta e artë", janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë.