Marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljeve, DASH: Dialogu do të zhbllokojë të ardhmen në BE për Kosovën dhe Serbinë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas  marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë të heqin për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Në një prononcim për “Gazetën Express”, DASH thotë se  SHBA-të besojnë se të dy vendet nëpërmjet dialogut do të arrijnë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe do të zhbllokojë të ardhmen e tyre evropiane.

“Këto çështje po trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin Shtetet e Bashkuara e mbështesin. Ne besojmë se Dialogu është një kanal dhe një mekanizëm përmes të cilit Serbia dhe Kosova arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të zhbllokojë të ardhmen evropiane për të dyja vendet”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH.

Në deklaratë thuhet se dialogu ishte i rëndësishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

“Ndërkohë, përderisa Dialogu ka atë fokus strategjik, ai gjithashtu është dëshmuar se është një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe shumë fleksibël për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.-thuhet në deklaratë.

Sakaq, DASH shprehet se po pret që deri në fund të muajit dy vendet të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dialogun në mënyrë paqësore dhe të arrijnë në zgjidhjen e ‘konflikteve’.

 “Pra, pres që deri në fund të muajit, bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe në punën e palodhur të Përfaqësuesit Special për Bashkimin Evropian, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore”, ka theksuar zëdhënësi.

Kosova dhe Serbia një ditë më parë (27 gusht) janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Kosova do të fillojë të zbatojë reciprocitetin me Serbinë, teksa targat e kohës së Milosheviçit nuk do të përdoren më në Kosovë. Por u arrit edhe marrëveshje sa i përket dokumentacionit. Sa i përket dokumentacionit, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndaj ajo nuk pranon dokumente për serbët që banojnë në Kosovë që të tregojnë se ata janë pjesë e një shteti tjetër, të pavarur. Për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Ndërkohë Joseph Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.

Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.