"Ishin me motor. Qëlluan me breshëri" Zbardhet dëshmia e 25 vjeçarit që i shpëtoi atentatit në Shkodër

25 vjeçari Alban Bruçaj që i shpëtoi një atentati me 19 plumba mbrëmjen e 25 gushtit në Shkodër, ka deklaruar se u sulmua nga dy persona të cilët udhëtonin me motor, por pretendon se nuk i njohu. Edhe pse rezulton se ka qenë i arrestuar në vitin 2016 për një tentativë vrasje, i riu ka deklaruar në Polici se nuk ka konflikt me asnjë person dhe nuk e di pse tentuan ta ekzekutojnë.

Atentati ndaj 25 vjeçarit Alban Bruçaj në Shkodër mbetet ende pa autorë, ndërsa i riu që ishte objektiv ka zbardhur dinamikën e sulmit mbrëmjen e së enjtes, 25 gusht 2022 në lagjen "Partizani".

Ai ka deklaruar në polici se rreth orës 21:30 po kthehej në shtëpi me makinë, kur dy persona të cilët pretendon se nuk i njohu u afruan me motor dhe e qëlluan me breshëri.

19 plumba mësohet se shkrehën ndaj 25 vjeçarit i cili shpëtoi pa lëndime, pasi siç ka deklaruar vijoi të lëvizë me makinë gjatë kohës që ishte nën sulm.

“Dy persona me motor u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen.

Edhe pse në vitin 2016 është arrestuar pasi tentoi të vrasë një person, Alban Bruçaj ka deklaruar në Polici se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e di përse tentuan të vrasin.

"Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”

Por grupi hetimor ka dyshime se atentati ndaj 25 vjeçarit mund të lidhet me konflikte të tij në shkuarën ose kohët e fundit, edhe pse ai mohon një gjë të tillë.

Për të rënë në gjurmët autorëve pas veprimeve në vendngjarje dhe dëshmisë së objektivit të sulmit, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në lagjen “Rus” ku Alban Bruçaj u sulmua.