Marin mbrohet nga kritikat me lot në sy: Jam njeri, më mungon gëzimi dhe argëtimi

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin mbrojti të mërkurën dëshirën për "gëzim" dhe "jetë" siç tha ajo, pas një debati për videot që e shfaqnin atë duke kërcyer dhe duke u argëtuar.

“Unë jam qenie njerëzore. Unë gjithashtu ndonjëherë pres me padurim gëzimin, dritën dhe kënaqësinë në mes të këtyre reve të errëta, "tha ajo me zërin që i dridhej, gjatë një aktiviteti të organizuar nga partia e saj, Partia Social Demokratike (SDP), në qytetin jugor finlandez të Lahtit.

Është private, është gëzim dhe kjo është jeta”, tha ajo me lot në sy. 

“Por nuk kam humbur asnjë ditë pune”.

Kryeministrja ka qenë shënjestër e një reagimi të ashpër që nga java e kaluar, pasi në rrjetet sociale nisën të publikohen video nga një festë private e Marin me miqtë dhe të famshëm.

Disa e kritikuan për sjellje të papërshtatshme për kryeministre, të tjerë mbronin të drejtën e saj për të shijuar një ngjarje private me miqtë e saj.

Komentet e dëgjuara në video u interpretuan se i referoheshin drogës, një temë e debatuar shumë në rrjetet sociale, të cilën kryeministrja e mohoi.

Për të “shuar çdo dyshim”, Sana Marin iu nënshtrua një testi droge javën e kaluar, i cili doli “negativ”.

 “Dua të besoj se njerëzit do të shohin atë që bëjmë në punë dhe jo atë që bëjmë në kohën tonë të lirë”, tha ajo sot, duke pranuar se java e kaluar ka qenë “mjaft e vështirë”.

Të martën, kryeministrja më e re e Evropës u bë përsëri tituj kur kërkoi falje për fotot e tjera të bëra në rezidencën e saj në korrik.

Fotoja e publikuar nga mediat finlandeze, tregon dy gra topless duke u puthur.

“Mendoj se fotografia është e papërshtatshme, kërkoj falje. Kjo foto nuk duhej të ishte bërë”, u tha Marin gazetarëve.

Kryeministrja sqaroi se në atë moment në rezidencën e saj ndodheshin “miqtë” për të “kaluar mbrëmjen” dhe për të shkuar në sauna.

Fotoja u postua fillimisht në një llogari të Tik Tok nga një influencere dhe ish-konkurrente në konkursin e Miss Finlandës, e cila gjithashtu shfaqet në foto.