Shërbimi sekret rus zbardh vrasjen e vajzës së ideologut të Putin: Ishte një grua

FSB-ja, shërbimi sekret rus, ka zbardhur ngjarjen e rëndë ku mbeti e vrarë një gazetare ruse. Vajza e ideologut kryesor të Putinit, nacionalistit Aleksandër Dugin, mbeti e vrarë në një atentat me bombë. Rusët akuzojnë ukrainasit, ndërkohë që Kievi mohon përgjegjësinë dhe thotë se kjo është luftë e brendshme për pushtet në Kremlin.

Shërbimi sekret rus ka njoftuar se ka zbardhur vrasjen e gazetares Darya Dugina.

Vajza e njërit prej ideologëve kryesorë të Putinit u vra nga një atentat i përgatitur prej shërbimeve special ukrainase, raportojnë mediet ruse.

Ukraina ndërkohë e ka mohuar përfshirjen në këtë atentat.

Gazetarja u vra mbrëmjen e së shtunës, 20 gusht 2022 në rrethinat e Moskës, në një atentat me bombë në makinën e saj.

FSB ka thënë se sulmi u krye nga një grua që mbërriti në Rusi muajin e kaluar me vajzën e saj adoleshente. Ajo mori me qira një apartament, ku kreu edhe studime të hollësishme për shënjestrën e atentatit, Darya Dugina. Guaja ka marrë pjesë gjithashtu edhe në mbrëmjen që shkoi Dugina me të atin, jashtë Moskës, të shtunën.

Pas kryerjes së "shpërthimit të kontrolluar" në makinën me të cilën po udhëtonte Dugina, FSB-ja pretendon se e dyshuara është larguar për në Estoni.

Ukraina e ka mohuar se është e përfshirë në këtë rast dhe ka fajësuar për sulmin luftën e brendshme për pushtet midis "fraksioneve të ndryshme politike" në Rusi.