Përballë aksionit dhe kandidatëve, dilemat e Sali Berishës dhe Ilir Metës për shtatorin e ri politik

Korriku dhe gushti janë dominuar politikisht nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, ku kryetarët Sali Berisha e Ilir Meta kanë qenë thuajse çdo ditë në deklarata kundër qeverisë Rama. Por çfarë rezervon shatori dhe çfarë pritet të ndodhë në kampin opozitar?

Shtatori pritet të jetë i nxehtë për nga zhvillimet politike, më së shumti në kampin opozitar.

Që në zgjedhjet e 25 prillit që lamë pas partitë nuk janë të organizuara dhe kordinuara si një koalicion dhe kjo erdhi pas humbjes për shkak të zhvillimeve të mëvonshme në PD por dhe nga qëndrimet e mbajtuara kundrejt Lulzim Bashës, të cilin LSI e shpalli tradhëtar dhe të shitur.

Të njëjtat akuza që i vinin brenda kampit të tij politik, e më së shumti nga babai i tij politik Sali Berisha.

Por tashmë që situata politika është krejt e re dhe kur Lulzim Basha duket se ka dalë jashtë skenës së vendimmarrjes pasi dështoi të vriste politikisht babain e tij, PD në kushtet dhe të përçarjes së saj do të duhet të gjejë një rrugë krejt të re.

Në fakt ky kamp politik po përpiqet për gjithçka të re përveç emrave që e drejtojnë.

Situata  e ngjashme është dhe në partinë e dytë më të madhe opozitare dhe kjo pasi Ilir Meta veshi kostumin e politikanit aktiv.

Këtu ndryshon fakti se ka vetëm pakënaqësi dhe jo përçarje.

Krahas sfidës për ristrukturimin dhe për ta transformuar në rrënjë LSI në Partinë e Lirisë, zgjedhjet janë afër dhe Meta do të duhet të mendojë edhe për aleancat politike.

Sinjalet e para i kanë dhënë me Sali Berishën për një bashkëpunim në opozitë, por mbetet e paqartë dhe e panegociuar në terma nëse PL dhe PD do të jenë bashkë në zgjedhje.

Sinjalet u duken më të qarta kur Sali Berisha u zotua për procesin e primareve, tashmë të sanksionuar dhe në statut dhe kjo deklaroi ai nuk do të cenohet nga asnjë marrëveshje politike.

"Koalicion do të ketë dhe koalicioni do të përcaktojë rregullat e tij. Për PD, aksionet e PD të gjitha do të zgjidhen me primare. Nuk heqim dorë kurrsesi nga primaret."- tha Sali Berisha.

Por kjo nuk e shqetësoi Ilir Metën. Madje duket se primaret i pëlqejnë dhe atij por mbetet për tu parë a do ti pëlqejnë dhe interesojnë ato çfarë Sali Berisha mund ti ofrojë në të ardhmen.

"Përshëndes idenë e primareve që ka futur zoti Berisha në PD, është një ide e mrekullueshme. Dhe në rastin e një koalicioni kjo do të ishte një ide e mrekullueshme për të gjithë koalicionin."- u shpreh Ilir Meta. 

Pavarësisht nëse do të jenë bashkë në aleancë zgjedhore duket se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkë kundër Edi Ramës, i cili tashmë ka nisur lëvizjet parlamentare me nisma konkrete kundër tyre.

Dekomunistizimi për mënyrën si në draftin e PS është shtypur ngjan me një nismë që target të pastër ka Ilir Metën, të cilin kohët e fundit e kanë sulmuar si spiun të ish-Sigurimit.

Ndërsa Sali Berisha kërcënohet me non grata.

Por në të gjithë këtë situatë, heshtje ka në kampin e Enkelejd Alibeaj, të cilët duket se presin me qetësi vendimin e Gjykatës për vulën zyrtare të PD.

Ky grupim ngjan si rrezik për Ilir Metën dhe Sali Berishën përballë nismave të socialistëve dhe pse ata nuk janë shprehur publikisht.

Grupi që evidentohet si i Alibeajt është për deklasifikimin e dosjeve dhe lustracion të plotë, gjë që kjo nuk gjendet në draftin e PS.

Në këtë pikë me interes për tu mësuar është qëndrimi përfundimtar i tyre.

Por përtej kësaj janë shtuar përpjekjet që të gjendet zgjidhje mes këtij grupi dhe Sali Berishës.

Këtë e pranoi dhe ky i fundit kur tha se po diskutohet ngushtë me çdo deputet. Përpjekjet nuk janë kufizuar vetëm mes deputetëve.

Të dhëna ka se urë komunikimi po përpiqen të bëhen dhe ndërkombëtarët, dashamirës të PD.

Shtatori dhe muajt deri në zgjedhjet vendore do të jenë gurë prove dhe momenti i të vërtetës për atë çfarë do të ndodhë në kampin opozitar.