Hynë në Uzinën e Armëve në Poliçan, 4 çekët do hetohen në gjendje të lirë
Turistë në kërkim të aventurës, apo agjentë në kërkim të informacioneve? Kjo pyetje ende nuk ka përgjigje përfundimtare, por katër çekët të ndaluar në tunelet ushtarake të Poliçanit do të hetohen të lirë nga Prokuroria. Nga verifikimet e para nuk janë siguruar prova për të ngritur dyshime për veprimtari spiunazhi, ashtu si me ruset dhe ukrainasin e ndaluar në Gramsh.
Katër shtetasit cekë të kapur në tunelet e uzinës ushtarake në Poliçan janë lënë të lirë.
Verifikimet e para nuk kanë gjetur prova mbi të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për veprimtari spiunazhi, mbi të cilat mund të mbaheshin në qeli
4 çekëve mësohet se u janë sekuestruara aparatet fotografike, dhe celularët të cilët do ti nënshtrohen ekspertizës.
Nga kqyrja e parë, duket se grupi hetimor nuk ka gjetur në aparate asnjë të dhënë apo informacion për veprimtari spiunazhi.
Po ashtu gjatë kontrollit, 2 burrave dhe 2 grave, mësohet nuk iu kap asnjë send tjetër I ndaluar apo I dyshimtë.
Katër shtetasit çekë që kur u ndaluan dhe në Policinë e Beratit kanë deklaruar se janë turistë dhe ishin pranë Uzinës së Poliçanit pa asnjë qëllim të keq.
“Jemi turistë, po bënim foto, humbën rrugën dhe u futëm brenda në tuneli” mësohet të kenw deklaruar mes të tjerave para grupit hetimor të ngritur për rastin.
Verifikimet treguan se ata ishin në Shqipëri së bashku me fëmijë dhe familjarë.
Në këto rrethana është vendosur që hetimi ndaj tyre do të vijojë në gjendje të lirë nga prokuroria e Beratit për shkelje të perimetrit të sigurisë të zonës së rëndësisë së veçantë, siç është Uzina e Poliçanit.
Dy shtetasit cekë u ndaluan pranë tuneleve të Uzinës së Poliçanit, ndërsa gratë jashtë rrethimit.
Veprimtaria e tyre ngriti fillimisht dyshime të forta, pasi vinte vetëm pak orë pasi dy rusë dhe një Ukrainas u ndaluan pranë Uzinës së Armëve në Gramsh, ku sulmuan me lëndë kimike dy ushtarë.
Si u zbuluan?
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se rreth orës 08:40 të mëngjesit të 21 gushtit 2022, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.
Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri-tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.
Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
