Bëri për spital kunatin me shkop bejzbolli, arrestohet gjirokastriti

Një sherr mes krushqive në Gjirokastër ka përfunduar në plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ka ndodhur në shtunën e 20 gushtit.

36-vjeçari A. K ka goditur me sende të forta vëllain e bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar dëmtime.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", pasi më datë 20.08.2022, në lagjen "11 Janari", Gjirokastër, ky shtetas është konfliktuar me shtetasin Gj. Ç. (vëllai i bashkëshortes së tij) dhe e ka goditur atë me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në trup" njoftoi policia.

Shtetasi Gj. Ç., ndodhet në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.