Nuk deklaroi 14 mijë euro dhe 1 mln lekë shqiptare në kufi, në hetim emigranti

Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi, ku u sekuestruan 14.400 euro dhe 1 165 000 lekë dhe u  procedua penalisht një 49-vjeçar.

"Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Fiat", me drejtues shtetasin B. Z. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.400 euro dhe 1 165 000 lekë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi" njoftoi policia.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. Z., 49 vjeç, rezident në Athinë, Greqi, për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.