Blogerë apo spiunë? Peleshi për rusët dhe ukrainasin në uzinën ushtarake të Gramshit: Presim hetimet, por dhuna ngre dyshime

Në daljen e tij të parë publike pas ngjarjes në uzinën ushtarake të Gramshit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nuk ka mundur të konfirmojë nëse tre të arrestuarit kanë qenë spiunë rusë apo blogerë. Ndërkohë që agjencitë shqiptare të Inteligjencës i kishin pasur nën hetim që kur ata kanë hyrë në vendin tonë 3 javë më parë.

Agjencitë e Inteligjencës shqiptare kanë pasur nën vëzhgim dy shtetasit rusë dhe një ukrainas të arrestuar pas incidentit në Uzinën e Gramshit.

Këtë fakt e ka pohuar të dielën Minsitri i Mbrojtjes Niko Peleshi pas vizitës që u bëri dy ushtarëve që u sulmuan pasditen e së shtunës, Ardian Xhaka dhe Aldio Bici.

Por pavarësisht se në hetime veç prokurorisë janë përfshirë Inteligjenca ushtarake dhe Antiterrori, Peleshi në daljen e tij të parë për media, nuk mundi të konfirmonte nëse Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe F.A ishin spiunë rusë apo blogerë që fotografojnë me një guxim te tepruar.

Peleshi: Padyshim që është një ngjarje që duhet vlerësuar, nuk mund të kalojë si një incident civil. Por nuk mund të nxitohemi  dhe të nxjerrim konkluzione. Por fakti që është reaguar dhunshëm prej tyre na bëjnë të jemi të vëmendshëm deri në fund. Janë shumë struktura që po punojnë nga Inteligjenca Ushtarake, Policia Ushtarake, SHISH, policia e Shtetit, Antiterrori. Janë në pyetje tre shtetasit e huaj me pasaporta ruse dhe ukrainase. Për pak do ketë një deklaratë për ecurinë e hetimeve.

 

Ngjarja po hetohet ndërsa kontektsi rajonal dhe gjeopolitik, duket se e bën që ndaj kësaj situate të shtohet vigjilenca e institucioneve shqiptare.

Peleshi: Ka informacion, ka pasur infomacion dhe para se të ndodhte ngjarja. Kanë qenë në vëzhdim. Dy ushtarët kanë reaguar në momentin e duhur. Blogerë apo jo kemi të bëjmë me një ngjarje që ka dhunë brenda. Është futje në një institucion në mënyrë të paautorizuar, që nuk e lejon ligji.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, pavarësisht se në çfarë statusi kanë qenë 3 të arrestuarit, ata kanë shkelur ligjin teksa kanë hyrë brenda rrethimit të uzinës me forcë dhe janë përleshur fizikisht me ushtarët.

Ndërko pak minuta pas vizitës së Ministrit të Mbrojtjes, ushtarët Ardian Xhaka dhe Aldio Bici kanë lënë spitalin dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Reparti i Toksikologjisë në QSUT tha se dy efektivët janë sulmuar me spraj neutralizues spicy spray.

Pjesë nga konferenca e Peleshit me gazetarët

 

Keni informacion për pajisjen e përgjimit?

Nuk e kam këtë informacion, nuk mund ta konfirmoj, por po bëhen hetimet.

Lidhen me pajisjet e spiunazhit në Sazan?

Nuk është gjetur ndonjë aparat përgjime në Sazan. Ka pasur shumë spekulime mediatike dhe politike. Politika e ditës lokale e ka hapësirën e  fantazisë shumë më të madhe se këto çështje. Në këto çështje ne nuk jemi socialistë dhe demokratë, jemi shqiptarë.

Dyshohen për spiunazh?

Patjetër. Kemi shumë të drejtë të dyshojmë sepse çdo shtetas i huaj që futet në një zonë të ndaluar ushtarake dhe kapet duke fotografuar dyshohet pëer spiunazh patjetër.

Çfarë mund të spiunonin këta shtetas rusë në një uzinë jashtë funksioni dhe ka tre vite pa energji elektrike?

Këtë do ta zbardhim. Nuk është e vërtetë që ka tre vite pa energji. Nuk është uzinë e braktisur por një uzinë që ka ndaluar prej shumë vitesh, që në '92 aktivitetin e prodhimit të armëve. Është në konservim. Mund të ishte zhbërë por vijnë dhe kohëra si këto kur na duhet të kalojmë nga politika e demilitarizimit në një politikë të modernizimit të ushtrisë dhe pse jo të tërheqjes së investitorëve vendas apo të huaj për të riaktivizuar dhe ato industri të fjetura ushtarake.

Ka lidhje ky incident me atë të një viti më parë në Kuçovë, ku u kap një dron.

Nuk kam të dhëna për lidhje me atë incident.

Sa vite ka uzina pa energji?

Nuk ka tre vite. Nuk di që sot nuk ka energji aty. Së dyti nuk ka uzinë në punë dhe derisa nuk ka uzinë nuk mund të ngremë alarmin pse nuk ka energji uzina. Uzina ka statusin shoqëri aksionere por nuk ka aktivitet prej 30 vitesh. Nuk është zhbërë për shkak se ish-uzina ushtarake e jona mund të vendoset në eficencë. Në këto momente për shkak dhe të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim dhe municion për shkak se të gjitha vendet në Europë dhe më gjerë kanë rritur gatishmërinë. Dhe ne kemi bërë mirë që nuk i kemi shuar përfundimisht qoftë Poliçanin, Mjekësin apo Gramshin sepse tani po mendojmë dhe jemi në kontakte me investorë vendas dhe të huaj për ti rivendosur në punë. Do ti vendosim në efiçencë.

Keni komunikuar me Ambasaën ruse?

Me ambasadat nuk komunikon Ministria e Mbrojtjes por ajo e jashtme. Padyshim kemi komunikuar me vendet partnere. Ne nuk jemi të vetëm. Nëse ndaj Shqipërisë do ketë një agresion NATO reagon sikur të ishte sulmuar çdo vend tjetër i NATO-s. Ngjarja as nuk duhet të minimizohet por as të shkaktojë panik. Shqipëria është e sigurt dhe Kosova është e sigurt. KFOR i NATO-s është në Kosovë.

Makina disa ditë në zonë, është vërejtur?

Janë pikasur dhe vërejtur nga strukturat tona të Inteligjencës.

Do deportohen?

Do kemi vendim pasi të zbardhim çështjen.