"Ndal, zonë ushtarake!" Pamje nga uzina ushtarake e Gramshit ku ndodhi incidenti me rusët
Kjo është uzina ushtarake në Gramsh ku u regjistrua incidenti një ditë më parë me tre shtetasit me pasaportë ruse dhe ukrainase.
Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, është një ndër tre uzinat ushtarake të Forcave të Armatosura dhe që është përfshirë në procesin e demontimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.
Autoritetet shqiptare përfshirë policinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Antiterrorit janë përfshirë ne hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes të ndodhur në Gramsh me 20 gusht.
Pasditen e të shtunës, dy ushtarë shqiptarë, të cilët ruanin fabrikën e prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar me spray neuro-paralizues nga 3 shtetas rusë e ukrainas.
Dy ushtarakët pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shtetit ka njoftuar për rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Sipas tyre, në afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.
“Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij”, shpjegon Policia.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në një postim në Tëitter, kryeministri Edi Rama lavdëroi ushtarët që "neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh" por nuk dha detaje tjera mbi incidentin.



