Shqipëria 6 muaj krah Ukrainës/ Ambasadori i Ukrainës: Askush nuk e priste qëndresën e fortë të popullit tonë
Ukraina pret të çlirohet së shpejti nga Rusia ndërsa vendi pritet të festojë Ditën e Pavarësisë. Ndërsa vlerëson rolin e rendësishëm të NATO-s, përfaqësuesi i Kievit në Shqipëri ka falënderuar vendin tonë për solidaritetin e shprehur me popullin ukrainas.
Vetëm pak ditë e ndajnë Ukrainën nga dita kombëtare e pavarësisë. Por njëkohësisht, në 24 gusht bëhen edhe 6 muaj nga sulmi rus.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov shprehet optimist për përfundimin e luftës duke theksuar vlerën që ka qëndresa e fortë e popullit ukrainas.
“Më datën 24 Ukraina, do të festojë ditën e Pavarësisë, është një festë zyrtare dhe njëkohësisht edhe 6 muajt e nisjes së luftës. Mbase shumë njerëz nuk e kanë besuar se Ukrainë do të rezistojë në këtë mënyrë ndaj agresionit rus. As në botë nuk e kanë menduar se një rezistencë e tillë mund të ndodh. Vlera që mund t’i japim këtij shpirti rezistence në vendin tonë është shumë e lartë”
Por ndihma e dhënë nga vendet anëtare të NATOS dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë rezultate konsistente.
“Në ditët e para të luftës, populli i Ukrainas dhe ushtria janë bashkuar me presidentin e tyre për t’i bërë ballë luftës. Sigurisht që duhet të falenderojmë dhe duhet t’i japim një mesazh dhe vendeve anëtare të NATO-së, SHBA dhe meqenëse jemi këtu edhe Shqipërisë, të cilët na ndihmojnë jo vetëm financiarisht por dhe me municione e armatime. Ajo që është më e rëndësishme për popullin e Ukrainës është të dalë nga zjarri i luftës, ku ndodhet aktualisht”.
Nismat e ndërmarra edhe në Shqipëri për ambasadorin ukrainas kanë një rëndësi të veçantë jo për shkak të vlerës së ofruar por të solidaritetit që populli shqiptar ka treguar.
“Deri më tani Shqipëria ka ofruar shumë ndihmë për Ukrainën dhe ky proces është ende në vazhdim, pasi jemi në bisedime me kompanitë e ndryshme dhe me qeverinë shqiptare. Për çdo rast që na jepet mundësia shprehim falënderimin tonë për ata që kanë marrë pjesë në këtë nismë. Shqiptarët janë të ndjeshëm ndaj çështjes së padrejtësisë që po ndodh. Kjo na prek.”
Ndërkohë që Shkurov shprehet optimist edhe për njohjen e Kosovës nga Ukrainë.
“Çështja e Kosovës, është një çështje politike, megjithatë një draft është në parlamentin ukrainas, ku pritet të miratohet dhe ligji për njohjen e Pavarësisë së Kosovës."
Shqipëria është ndër vendet e para që u bashkuar vendeve përëndimore duke sanksionuar Rusinë për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

