Fund i lumtur, personi i armatosur që mbante pengje në bankë është dorëzuar

Pengmarrja në një bankë të Bejrutit, ku një libanez mbajti pengje për gati gjashtë orë, pati një fund të lumtur.

 Siç raporton agjencia Reuters, i armatosuri u largua nga banka me duart lart. 

Asnjë nga gjashtë pengjet nuk u plagos, sipas Kryqit të Kuq libanez.

Sulmuesi  Bassam al-Sheikh Hussein, 42 vjeç, sulmoi degën e bankës në mesditë, duke kërkuar para nga depozitat e tij të ngrira. 

"Ai hyri me një armë gjahu dhe materiale të ndezshme dhe kërcënoi punonjësit që t'i jepnin kursimet e tyre," sipas një dëshmitari të raportuar nga AFP.

Agjencia libaneze e lajmeve NNA raportoi se burri "kërcënoi se do t'i vinte zjarrin vetes pasi ti vriste të gjithë", ndërsa në një moment ai "i drejtoi armën në kokë menaxherit".

Sipas NNA, ai hyri në bankë sepse babai i tij ishte shtruar së fundmi në spital për operacion dhe nuk ishte në gjendje të përballonte kostot financiare.

 “Vëllai im ka 210,000 dollarë në bankë dhe i nevojiten vetëm 5,000 dollarë për të paguar faturat e spitalit”, u kishte thënë gazetarëve më herët Atef al-Sheikh Hussein, duke shtuar se vëllai i tij synonte të dorëzohej sapo të merrte paratë.

Në një video të postuar në internet, shihen negociatorët që i kërkojnë të armatosurit të lirojë dy klientë të bankës.

Prej tre vitesh, Libani po kalon një nga krizat më të këqija ekonomike në historinë moderne botërore, sipas Bankës Botërore. 

Monedha kombëtare ka humbur pothuajse 90% të vlerës së saj dhe rreth 80% e popullsisë është zhytur në varfëri, ndërsa kontrollet e rrepta të kapitalit kanë zemëruar libanezët.