Tre vjet burg për shitësin e kokainës që donte të bënte "festë të çmendur ditëlindjeje"
Një 37-vjeçar shqiptar i njohur si Luis G., i cili u arrestua pasi ju kapën 46 kilogramë kokainë në port është dënuar me tre vite burg.
Ngjarja ka ndodhur më 12 mars pak ditë para ditëlindjes së 37-vjeçarit.
Policia e transportit në portin e Antwerp-it mori një telefonatë sipas së cilës thuhej se dy persona po shpërndanin kokainë në vendet e Becomar.
Policët kontrolluan zonën por nuk gjetën njeri. Vetëm pak orë më vonë, policia mori një tjetër denoncim të ngjashëm.
Ata i gjetën 37-vjeçarit 46 kilogramë kokainë në port. Me paratë 37-vjeçari donte të bënte një “festë të çmendur ditëlindjeje”.
Ai u kap me katër çanta sportive të mbushura me kokainë.
Luis G. dhe avokati i tij nuk u përpoqën të fshihnin faktet. “Klienti im ka bërë rrëfimet e plota. Ditëlindja e tij ishte disa ditë pas fakteve dhe ai donte të bënte një festë të çmendur ditëlindjeje”, tha avokati Jonathan Bogaerts.
Ai ka deklaruar se i janë premtuar 10 mijë euro, por në realitet ende nuk ka marrë asnjë cent.
Prokurori ka konstatuar se Luis G., ka vepruar me qëllim përfitimi dhe ka kërkuar 34 muaj burg dhe 20 mijë euro gjobë. Avokati i tij kishte kërkuar dënim me kusht, por gjykata penale e dënoi G. me tre vjet burg, nga të cilat një vit me kusht. Ai gjithashtu duhet të paguajë një gjobë prej 8000 eurosh, gjysma e së cilës është shtyrë.