Publikohen pamjet satelitore/ Dëme të mëdha në bazën ajrore në Krime, 9 avione rusë të shkatërruar
Baza ajrore Saki në perëndim të Krimesë e cila kontrollohet nga rusët, është dëmtuar nga bombardimet gjatë kësaj jave. Imazhet satelitore shfaqin dëmet e mëdha ku si pasojë një person mbeti i vrarë.
Imazhet e publikuara satelitore kanë shfaqur dëme të madh dhe disa avionë luftarakë rusë të dëmtuar në bazën ajrore të Krimesë, që është goditur nga shpërthimet më herët gjatë kësaj jave.
Baza ajrore Saki, që gjendet në perëndim të Krimesë së kontrolluar nga rusët, u godit nga një sërë shpërthimesh të martën, më 9 gusht, duke lënë të vrarë një person.
Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por të dhënat e reja sugjerojnë se shpërthimet ka të ngjarë të kenë qenë sulm i shënjestruar.
Imazhet satelitore të publikuara nga Planet Labs, tregojnë zona të mëdha të tokës që janë djegur nga zjarret që shpërthyen.
Pistat kryesore të kësaj baze ajrore duket se nuk janë prekur, por të paktën tetë avionë duket se janë dëmtuar ose janë shkatërruar, teksa shihen gropa të hapura në tokë.
Disa prej këtyre gropave janë në disa zona specifike të bazës ajrore ku një numër i madh avionësh parkohen në ambiente të hapura.
Imazhet satelitore të Planet Labs, që monitoron luftën në Ukrainë, paraqesin konfirmimin e parë se baza mund të jetë shkatërruar. Deri më tani, detajet për madhësinë e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet kanë qenë të pakta.
Por, ende është e paqartë se si baza u shkatërruara ose me çfarë u godit.
Rusia e ka përdorur bazën ajrore Saki për të kryer sulme në territorin ukrainas qëkur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt


