Trump "injoron" prokurorët pas bastisjes, refuzon t’u përgjigjet pyetjeve: Gjueti shtrigash

Ish-presidenti Donald Trump ka vendosur të heshtë përpara prokurorëve të Nju Jorkut në lidhje me pretendimet e këtyre të fundit për evazion fiskal. Duke e quajtur sagën e persekutimit politik një gjueti shtrigash, republikani tha se heshti sipas të drejtës kushtetuese.

Rreth një orë ka zgjatur marrja në pyetje e ish-presidentit Trump nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Nju Jorkut për dyshime që lidhen me evazion të mundshëm fiskal me bizneset e tij.

Zoti Trump pasi ka dalë nga Prokuroria tha se nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të prokurorit, një të drejtë që sipas ish-presidentit ia lejon Kushtetuta amerikane.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Vite të tëra pune dhe dhjetëra milionë dollarë janë shpenzuar në këtë sagë të gjatë dhe pa ndonjë vlerë. Unë nuk pranova t’u përgjigjem pyetjeve në bazë të të drejtave dhe privilegjeve që u jepen çdo qytetari sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara," tha Trump.

Zyrtarët shtetërorë e akuzojnë Organizatën Trump se ka mashtruar autoritetet në lidhje me vlerën e aseteve të saj, në mënyrë që të marrë kredi me norma të favorshme dhe të përfitojë lehtësime tatimore.

Një orë pasi më 10 gusht hyri në zyrën në Nju Jork, ku u mor në pyetje nën betim, Trump lëshoi një deklaratë përmes së cilës kritikoi prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James për të cilën thotë se ajo nisi sulmet ndaj tij dhe bizneseve të familjes së tij që përpara se të zgjidhej si prokurore e Përgjithshnme.

Ish-presidenti Trump mohon çdo keqbërje dhe ka thënë se hetimi është një gjueti shtrigash.

Analistët ligjorë kanë sugjeruar se Trump mund të ketë refuzuar që të përgjigjej në pyetje të mërkurën, për shkak se përgjigjet e tij do të mund të përdoreshin kundër tij në këtë hetim penal.

Amendamenti 5, që Trump përdori, mbron qytetarët amerikanë nga detyrimi që të jenë dëshmitarë kundër vetvetes në çështje penale.