"Dita e çlirimit po vjen", Zelenski optimist: Sa më shumë humbje t’u shkaktojmë, aq më shpejt do tërhiqen

Me nota optimiste, presidenti i Ukrainës i ka thënë popullit se po afron dita kur rusët të largohen nga rajonet e pushtuara. Zelenski bëri thirrje për më shumë sulme ndaj ushtrisë ruse në mënyrë që t’i bëjë ata të tërhiqen.

Lideri ukrainas Zelenski në adresimin e tij të mbrëmjes ka premtuar se e afërt do të jetë koha kur rusët të largohen nga zonat e pushtuara në Ukrainë, qoftë edhe në rajonet kur rusët e kanë konsoliduar më shumë, përfshirë gadishullin e Krimesë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Pas veriut, sipas kreut të shtetit, ushtria ruse së shpejti do të duhet të tërhiqet edhe nga rajonet ukrainase në jug të vendit.

"Koha do të vijë kur rusët do të largohen nga rajoni i Karkivit, Donbasi, Krimea. Nuk ka rëndësi se çfarë okupatorët premtojnë. Ne dëbuam ushtrinë ruse nga rajonet veriore, nga Ishulli i Gjarpërinjve. Ata tashmë e kanë kuptuar që ka ardhur koha të tërhiqen nga Kersoni dhe nga jugu i vendit në përgjithësi," tha ai.

Presidenti ukrainas ka edhe një përgjigje për pyetjen se kur do të përfundojë lufta.

"Çdokush shqetësohet rreth kësaj pyetjeje. Kur do të mbarojë lufta? Dikush tha për disa muaj, të tjerë thonë në një vit ose edhe më vonë.

Por përgjigja kur lufta do të mbarojë aktualisht varet drejtpërsëdrejti nga humbjet e rusëve. Sa më shumë humbje që okupatorët të kenë, aq më shpejt ne do të çlirojmë tokën tonë dhe të garantojmë sigurinë e Ukrainës," deklaroi Zelenski.

Ai ka bërë thirrje për më shumë shkatërrime në ushtrinë ruse, në mënyrë që Moska të tërhiqet përgjithmonë nga Ukraina.

"Nëse gati 43 mijë ushtarë rusë të vdekur nuk e bindin komandën ruse për të gjetur një rrugëdalje nga lufta, atëherë duhen më shumë luftime, më shumë rezultate për t'i bindur ata.

Vetëm dje pushtuesit humbën dhjetë avionë, nëntë në Krime dhe një në rajonin e Zaporizhzhias," tha ai.