Skandali me fondet e AZHBR-së/ Falimenton fermeri, i dha fonde njeriut të incineratorëve
Trajtimi preferencial nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural çoi në faliment fermerin që paratë e emigracionit i investoi në Shqipëri, duke e detyruar të marrë sërish rrugët e Europës për të larë edhe borxhet që mori. Rasti në fjalë i përket një fermeri të cilin AZHBR nuk ia subvencionoi fermën e gjedheve në Samaticë, por ama nuk u kursye të jepte 310 mijë euro për një nga punonjësit e incineratorit të Tiranës.
Shpërdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian dedikuar bujqësisë ka çuar drejt falimentit fermer të shumë në Shqipëri.
Njëri prej tyre është Dashamir Çela nga fshati Samaticë i Beratit.
I kthyer nga emigrimi 6 vite më parë ai ngriti një fermë, fondet për të cilën iu refuzuan nga AZHBR.
Shkak i mosdhënies së subvencioneve ishte afërsia e sallës me shtëpinë.
Në këto kushte ai u detyrua të marrë kredi.
Mungesa e mbështetjes nga qeveria dhe pamundësia për të shlyer kredinë e çuan në faliment dhe e detyruan t`i rikthehet emigrimit.
"Kredi ka marrë, 1 milion e 200 mijë lekë e lajmë muaj për muaj."
Në Samaticë ka lënë gjithë familjen që shpreson ta marrë në Gjermani sapo të krijoj një jetë të qëndrueshme.
E ëma dhe bashkëshortja tregojnë vështirësitë që kanë ndeshur.
"Nëse Dashamiri do kishte pasur një ndihmë sado të vogël nga shteti nuk do ishte këtu ku është me kredi, jemi njerëz hallexhinj dhe i jemi përkushtuar punës. Dashamiri mund të vijë nga Gjermania dhe ta shkrijë fare si punë se nuk arirjmë të mbijetojmë, është e kotë."
Ky është vetëm një ndër rastet kur abuzimi me fondet sjellë pasoja të rënda te ata që duhet t`i përfitonin.
AZHBR nuk subvencionoi fermën e gjedheve në Samaticë por ama nuk u kursye të jepte 310 mijë euro për një nga punonjësit e incineratorit të Tiranës.
