Ministri Çuçi reagon tre ditë pas tragjedisë në Himarë ku u vra Jonada flet për "sajesat" e Berishës
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka rrëzuar akuzat se ka ngritur një biznes ku përfshihen varkat detare.
Në reagimin në facebook ai shprehet se mes miqsh kanë krijuar një shoqatë velierash sportive ndaj dhe qëndrimet i konsideron sajesa nga persona që duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.
Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone.
I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.
Duke shprehur dhimbjen për vdekjen tragjike të 7 vjeçares Jonada Avdija Çuçi thekson se gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës është përpjekur të flasë me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie.
"Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.
Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij"
Më 2 gusht 2022, Jonada Avdija humbi jetën teksa po lahej në det pasi trupi i saj u dëmtua nga helikat e skafit të drejtuar nga komisari i policisë Arjan Tase. Pas tragjedisë Tase u shkarkua nga detyra dhe aktualisht ndodhet i arrestuar.
