Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen e energjisë me kompaninë amerikane
Deputetët kosovarë kanë votuar pro ratifikimit të marrëveshjes për Programin Kompakt i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të vendit.
Projektligji për marrëveshjen është miratuar me 89 vota në Kuvend.
Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.
Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën në Uashington përmes ministres së Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli dhe drejtoreshës ekzekutive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë.
Programi përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.
Korporata amerikane synon që përmes këtij programi të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.
Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me nënshkrimin e Programit Kompakt, rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm.
