Begaj: Falenderoj Metën për bashkëpunimin, do të jem shërbëtor i Kushtetutës dhe Popullit!

Në fjalën e tij të parë si president i vendit, Bajram Begaj si fillim falënderoi ish-presidentin ilir Meta për bashkëpunimin e tyre kur ka qenë kreu i Shtabit të Forcave të Armatosura.

Ai tha se sot është betuar për besnikëri ndaj ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si një shërbëtor i popullit, e përfaqësues i unitetit kombëtar.

Begaj: Dëshiroj të falenderoj presidentin Meta për përmbysjen e detyrës dhe komunikimin e kemi pasur gjatë kohës kur kam ushtruar detyrën e kreut të Shtabit të Forcave të Armatosura. Kjo është dita më e rëndësishme e jetës time. Jam para jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të një individi të zgjedhur në postin më të lartë. Ky besim më ngarkon me përgjegjësi ndaj vendit dhe partnerëve.

Sot u betova për besnikëri ndaj ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Do të jem shërbëtor i popullit tim dhe përfaqësues i unitetit kombëtar. Do të jem mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës. Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit. Të garantosh zbatimin e kushtetutës nënkupton garantimin e ligjit edhe për luftën kundër krimit të organizuar.