"Ndryshimet klimatike janë emergjencë globale", Biden: Rrezik i qartë dhe i pranishëm për mbarë botën
Ndryshimet klimatike po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe nga të gjitha qeveritë botërore. Londra do të regjistronte këtë javë tempraturat më të larta për dekada të tëra, ndërkohë që pjesë të ndryshme të planetit janë përfshirë nga flakët. Ndalimi i pasojave të ndryshimeve klimatike është bërë urgjencë e madhe ndërkombëtare.
Flakë të shumta anekënd botës, shkretimi i sipërfaqeve të tëra me pyje, jetë të humbura njerëzore dhe habitate të shumta kafshësh të shkatërruara është veccse fillimi i një bilanci tragjik të ccdo vere, ndërsa temperaturat arrijnë rekorde.
Presidenti Biden e cilësoi parandalimin e ndryshimeve klimatike si emergjencë globale.
Duke folur në Massachusetts ai tha se është e qartë se ky është një rrezik i madh dhe i pranishëm për të gjitha vendet e botës.
Shtete të ndryshme kanë filluar të marrin masa për të ulur emetimin e gazeve serë në hapësirë, duke sjellë kësisoj një ftohje të planetit për dekadat e ardhshme.
Me këtë ritëm që ngrohet planeti, me shkrirjen e akullnajave, shumë vende që janë nën nivelin e detit do të zhduken fare, teksa do të ketë ndryshime drastike në rrymat oqeanike dhe në jetën njerëzore.
Presidenti amerikan foli edhe për faturë financiare të ndryshimeve klimatike. Uraganet, tornadot, zjarret dhe thatësirat janë përkeqësuar, dhe vetëm vitin e kaluar kanë sjellë 145 miliardë dollarë dëme në Amerikë, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Duke cituar këto të dhëna, presidenti deklaroi se "ndryshimi i klimës është fjalë për fjalë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin".