Skandal në klinikën private, dhjetëra pacientë u infektuan pas filtrimit të gjakut, shumat marramendëse që paguan
Një skandal është publikuar së fundmi në mediat e Kosovës, në lidhje me klinikën private “Zhan Mitrev”, klinikë e cila shfrytëzoi pandeminë e Covid-19, për të zhvatur pacientët.
Sipas asaj që thuhet në dokumentarin e hulumtuar nga gazetarë investigues maqedonas, të mbledhur në Organizatën “Investigative Reporting Lab Macedonia”, në klinikën “Zhan Mitrev”, pacientët ishin detyruar t’i nënshtroheshin filtrimit të gjakut si terapi anti-kovid, duke paguar deri në 5 mijë euro, duke pretenduar jetën e re.
Ndërkohë shumë pacientë, përpos çmimit të lartë që kanë paguar, aty janë infektuar me disa lloje bakteresh, e për pasojë disa kanë ndërruar dhe jetë.
Sipas asaj që raportojnë mediat, vetëm një ditë pas publikimit të dokumentarit, Prokuroria ka nisur hetimet megjithëse në sirtarët e prokurorisë, prej muajsh qëndronin të paktën kallëzime penale nga familjarët e vetë pacientëve.
“Menjëherë pas publikimit të emisionit dokumentar në fjalë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur lëndë në bazë të denoncimit publik, të parashikuar me Ligjin për Procedurë Penale. Rasti i është caktuar prokurorit publik kompetent, i cili do të ndërmarrë veprime për verifikimin e fakteve që tregojnë indicie për vepër penale dhe krime kundër shëndetit të njerëzve”, tha Prokuroria Themelore Publike.
Ndërkohë gazetarja ivestigative Sashka Cvetkovska tha se dyshimet janë të mëdha për një rrjet të inkriminuar në këtë biznes të pistë.
“Vetëm sot nga mëngjesi, qytetarët na kanë dërguar foto nga 4 kallëzime penale, njëri prej tyre nga Kosova, tre nga këtu. Rastet që i kemi punuar bazohen në 24 tragjedi familjare, po ashtu kanë bërë kallëzime penale që Prokurorisë i kanë arritur këto denoncime. Tragjikisht e kemi përjetuar spiunimin nga institucionet. Të gjitha pyetjet tona tek institucionet gjatë hulumtimit tonë, kanë shkuar direkt në posten elektronike të doktorit Zhan Mitrev, i cili vazhdimisht e dinte çfarë punonim ne” , theksoi Saska Cvetkovska, Gazetare IRL.
Ndërkohë deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ana e klinikës “Zhan Mitrev” në lidhje me akuzat, por sipas klinikës pretendimet janë gënjeshtra.
“Të shqetësuar nga gjuha e urrejtjes, tendencioze, përdorur ndaj institucionit tonë, si dhe nga pretendimet e pasakta, konkretisht nga informacionet e fabrikuara, të cilët kanë vetëm për qëllim për të krijuar një pamje të rrejshme për opsionin e gjerë për punën e klinikës spitalore Zhan Mitrev. Si institucion, praktikojmë vetëm mjekësi të bazuar në fakte”, thonë nga Klinika Private “Zhan Mitrev”.
Sipas hulumtimit të IRL-së, vdekshmëria e treguar në klinikën Zhan Mitrev, është më e lartë se sa ajo nga klinika infektive shtetërore, edhe pse numri i të shtruarve duke marrë në krahasim klinikat, ka qenë dukshëm më i ulët se sa në klinikën shtetërore.
Studimi tregoi se njerëzit, duke pritur garancinë e jetës, kanë paguar nga 12 mijë euro e lart, ndërkohë që fitimet e klinikës, në dy vitet e Covid, ishin regjistruar 17 milion euro, duke e dyfishuar fitimin e tij.
