Kovaçevski: Qeveria e miratoi propozimin francez, më 19 korrik do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare
“Qeveria sot shqyrtoi konkluzionet e miratuara në Kuvend dhe në bazë të tyre mori vendim të miratojë propozimin e Presidencës franceze të 30 qershorit. Me këtë vendim e fillojmë procesin e negociatave për anëtarësim në BE dhe përfundojmë një tjetër hap historik për vendin tonë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media në Qeveri i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të tij.
Ai tha se po hapet një proces për realizimin e qëllimit të dytë strategjik pas atij me anëtarësimin në NATO, që është anëtarësimi në BE.
“Më 19 korrik në Bruksel do të lexoj fjalën hyrëse në gjuhën maqedonase”, tha kryeministri.
“Sot kemi një kornizë negociuese në të cilën mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, çështjet historike janë jashtë saj dhe jemi një hap larg konferencës së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Sot po hapim një mundësi të re për shtetin dhe për prosperitetin e qytetarëve. Shumë shpejt gjuha jonë maqedonase do të dëgjohet zyrtarisht në BE”, shtoi Kovaçevski.
Ai sulmoi ashpër opozitën maqedonase, e cila sipas tij “ulërinte”, foli për skenarë të zinj, dogji, grisi, fyeu shtetet mike të vendit duke treguar se nuk i interesojnë interesat shtetërore, por pallatet e bardha, makinat dhe paratë.
"Ne i themi po një shteti civil multietnik të integruar në BE, me identitet solid, dhe njerëzit me identitet solid mund të ndërtojnë një shtet dhe ta rimëkëmbin atë ekonomikisht. Askush nuk mund dhe nuk do të negociojë për çështjet e identitetit maqedonas, ne kemi një obligim kaq të shenjtë dhe do të tregojmë se ia kemi dalë. Ne vazhdojmë më fort në zhvillimin e vendit. BE-ja do të jetë në Shkup, kurse Maqedonia në BE, kështu do të jetë më pas", theksoi ai.
Lidhur me vendimin e deputetëve të DOM-it dhe DS-së, të cilët nuk e votuan propozimin francez në Kuvend, Kovaçevski tha se respekton vendimet e tyre dhe se ato janë marrë në nivel të atyre partive, pavarësisht se janë pjesë e shumicës qeverisëse.
I pyetur se pse ministri i Pushtetit Lokal Goran Milevski, i cili është lider i LDP-së, i cili paraprakisht deklaroi se propozimi francez është i papranueshëm për të, mungoi në konferencën për media, Kovaçevski tha: “Mungon për arsye shëndetësore dhe i uroj shërim të shpejtë”.

