Mickoski: Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga ne, bullgarët nuk do të përfshihen në Kushtetutë
Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, tha se votimi i propozimit francez në Kuvend, nuk është edhe fundi i “betejës” së VMRO-DPMNE-së për të pamundësuar zbatimin e këtij dokumenti, sipas tij, të dëmshëm për interesat maqedonase.
"Gjithsej 44 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, si garanci për popullin, vërtetuan në noter deklaratat se nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës me ndërgjegje të pastër dhe ndërgjegje të shëndoshë”, njoftoi lideri i partisë politike VMRO-DPMNE në konferencën e sotme për shtyp.
Ai ka theksuar se protestat e përditshme nuk kanë qenë luftë e tij apo e partisë, por e popullit.
Mickoski i cilësoi zhvillimet e sotme në Kuvend si turp për shtetin. Ai tha se zgjedhje duhet të ketë, dhe VMRO-DPMNE garanton se bullgarët nuk do të përfshihen në Kushtetutë, dhe garanci për këtë janë deputetët e opozitës që janë bashkë në këtë betejë.
Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sipas Mickoskit, do të ketë një detyrë të vështirë për të korrigjuar gabimet e qeverisë aktuale dhe, siç thotë ai, “ta kthejë atë që është vjedhur dhe t’i bëjë të përgjigjen për atë që kanë bërë”.
Deputetët e opozitës maqedonase lëshuan sallën e kuvendit në momentin që do të bëhej votimi për miratimin e propozimit francez.
