Balla në takim me të dërguarin special të Zelenskyt në Shqipëri: Dënojmë ashpër agresionin rus

Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla është takuar sot me të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.
Balla përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook tregon mbi takimin dhe shkruan se Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia si dhe qëndron në krah të popullit ukrainas.
“Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar urdhëruesit dhe autorët. Aleanca jonë - NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me asistencë në siguri për të luftuar agresionin rus dhe për të mbështetur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje”, shkruan Balla.


