Ndryshon projektligji për të dhënat personale/ Sistem i ri sanksionesh administrative, gjoba si në BE

Patronazhistët vazhdojnë të konsiderohen krenari nga maxhoranca aktuale, edhe pse ata kannë pasur në dorë të dhënat personale të shqiptarëve. Madje edhe publikimi i kartave të identitetit, pagave, vendeve të punës dhe të tjera nuk u shoqëruan as me ndjesë dhe as me masa të tjera prej qeverisë.

Pavarësisht kësaj në prezantimin e projektligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, ministri Ulsi Manja u shpreh optimist për sigurine e mbrojtjes së të dhënave.

Ulsi Manja: Sigurisht jo vetëm për përshtatjen teknike me legjislacionin e BE pork y projektligj ka një rëndësi të madhe në rritjen e standarteve të mbrojtjes së të dhënave për qytetarët shqiptarë. Vendos sanksione administrative më të ashpra në rastet shkeljes së të dhënave personale.

Vetë komisioneri Besnik Dervishi ka sjellë në vëmendje skandalin e vitit të shkuar, por pa përmendur se çfarë ndodhi me hetimin, teksa shton se nisma e re sjell më shumë siguri.

Besnik Dervishi: Ngjarjet që kanë ndodhur vitin e kaluar janë këmbanë alarmi që duhet të shërbejnë për të forcuar përgjegjshmëritë e strukturave dhe personelit të angazhuar me të dhënat e qytetarëve.

Në draftin që do të dorëzohet për votim në qeveri ndër të tjera parashikohet edhe gjobë deri në 2 miliardë lek ose deri në 4 për qind të xhiros së kompanive.