Policia kriminale e Elbasanit shpall në kërkim Hajdar Bakon. Apeli vendosi ta rikthejë në qeli për 3.5 vite burg

Policia kriminale e Elbasanit, ka shpallur zyrtarisht në kërkim Hajdar Bakon, ose siç njihet ndryshe në qytet si “Dari i Dubait”, pasi ky i fundit duhet të vuajë një dënim, që përllogaritet, diku tek 3 vite e 5 muaj burgim.

Bako dhe vëllezërit e tij, Ervini dhe Franci Bako, së fundmi u përmendën dhe në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili ekspozon Bakon dhe dy vëllezërit e tij, si financues në vrasjen e Arjan Spahisë në Belgjikë, vrasjen e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë, Erjon Alibej.

Ndërkohë vendimi për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Hajdar Bakos alias “Hysa Çopja”, është marrë pas nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit nga prokuroria, pasi kjo e fundit së bashku me policinë e Elbasanit, duhet të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Apelit Durrës.

“Ora News” disponon vendimin e Gjykatës së Apelit, që kthen në burg Hajdar Bakon, për një plagosje të rëndë në 2017, të shkaktuar me armë zjarri në dëm të shtetasit Klevis Gjini.

Në 8 qershor 2022 gjyqtari i vetëm i Apelit Durrës, Florian Kalaja, ka vendosur të prishë vendimin e gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa, që urdhëronte rifillimin e praktikës nga e para të periudhës së vuajtjes së dënimin me kusht të Bakos, pranë shërbimit të provës Elbasan.

Në vendimin e tij gjyqtari, Florian Kalaja, e konsideron jo të drejtë dhe të pabazuar në ligj, vendimin e gjyqtarit Tafa, të marë në datën 3 mars 2022, i cili çonte në pikën zero periudhën e vënies në shërbim prove të Hajdar Bakos.

Tafa e ka vlerësuar objektive pamundësinë e të dënuarit Bako, për të respektuar detyrimet për kontaktet me Shërbimin e Provës, për shkak të kufizimeve të lëvizjes së kohës së pandemisë dhe për shkak të ekzaminimeve mjekësore që i dënuari ka kryer jashtë shtetit në Spanjë dhe Londër.

Por vendimarrja e gjyqtarit Tafa, u ankimua nga prokurori Mustafa Turku, i cili parashtronte në ankimin e bërë në apel se:

“…haptazi provohet se i dënuari Hajdar Bako, nuk ka vullnet për të ekzekutuar dënimin alternativ, pasi nga viti 2017 deri në vitin 2022 ai ka qëndruar në Shqipëri vetëm 11 muaj…”.

Hajdar Bako, për herë të fundit që ka hyrë nga “Rinasi” në Shqipëri dhe është paraqitur në shërbimin e provës, është data 6 shkurt 2021.

Nisur nga kjo situatë prokuroria, ka kërkuar në gjykatën e Apelit, ndryshimin e vendimit dhe revokimin e vendimit të dënimit alternative, duke aplikuar vuajtjen e dënimit të mbetur me burgim.

Në 8 qershor 2022, gjyqtari Florian Kalaja, ka vlerësuar se ankimi i prokurorisë Elbasan, rezulton i bazuar në ligj dhe në prova dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet, duke u urdhëruar policia e shtetit dhe prokuroria që të vijojë ekzekutimin e vendimit të dënimit me burgim në pjesën e mbetur të dënimit për Hajdar Bakon.

Gjyqtar Kalaja, konstaton se në këtë çështje provohet tej çdo dyshimi se i dënuari Bako i është shmangur detyrimit ligjor për të ekzekutuar mundësinë e rehabilitimit penal, përmes dënimit alternativ të dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit.

Që prej vitit 2017 e deri në vitin 2022 ai ka qëndruar vetëm 11 muaj në Shqipëri dhe se nuk ka treguar kurrfarë interesi për zbatimin e detyrave gjyqësore.

Për rrjedhojë Gjykata e Apelit Durrës, vlerëson se dënimi alternativ nuk ka më asnjë efektivitet dhe asnjë kuptim për rehabilitimin e të dënuarit dhe se sjellja e tij, bën që të aktivizohet ekzekutimi i pjesës së mbetur të dënimit me burgim në qeli.

Bako, u dënua nga gjykata e Elbasanit në vitin 2017 me 4 vite burgim për plagosjen me armë zjarri në dëm të Klevis Gjinit, ngjarje kjo e ndodhur në 7 prill 2017 në ambientet e restorant “Dervishaj”.

Në këtë ngjarje ku janë sekuestruar 16 gëzhoja pistolete dhe vetë Bako mbeti i plagosur, duke pësuar dëmtime në pjesën e këmbës, ndërsa autor i goditjes së tij me pistoletë ka qenë, Klevis Gjini.

Në këtë përplasje me armë, Hajdar Bako alias Çopja ka qenë i shoqëruar me vëllain e tij, Franc Çopja.

Të dy së bashku janë konfliktuar dhe dy vëllezërit, Klevis dhe Alfred Gjini si dhe me djalin e xhaxhait të tyre, Emiljano Gjini. Fillimisht mes pesë personave, ka nisur një konflikt verbal, më pas ka vijuar me goditje fizike, duke u pasuar me përdorimin e armëve.

Si pasojë e kësaj përleshje fizike dhe me armë, kanë mbetur të plagosur Klevis Gjini, Hajdar Bako dhe Emiljano Gjini.

Klevisi është arrestuar nga prokuroria për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” ndaj Hajdar Bakos, ndërsa ky i fundit është arrestuar për plagosjen e rëndë ndaj Klevis Gjinit.

Policia kriminale e Elbasanit shpall në kërkim Hajdar Bakon. Apeli

Policia kriminale e Elbasanit shpall në kërkim Hajdar Bakon. Apeli