Kandidat për president edhe 78 vjeç/ Sondazhet: Mbështetja për Trump 44%, për Biden 39 %
Mosha nuk pritet të jetë një problem për Donald Trump për të kërkuar nga amerikanët një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2024. Mediet thonë se ish-presidenti pritet të shpallë së shpejti zyrtarisht kandidaturën për t’u rizgjedhur.
Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara pritet që të kenë kandidatë të njëjtë për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Ish-presidenti Donald Trump pritet që të shpallë së shpejti kandidaturën për t’u rizgjedhur nga amerikanët.
I vetmi dallim mes republikanit dhe demokratit Joe Biden janë 4 vite më shumë në kurrizin e tyre, që prej vitit 2020.
Kështu, nëse Trump kandidon ai do të jetë 78 vjeç, ndërsa Biden 82 vjeç.
Edhe pse Donald Trump ka lënë të kuptohet vazhdimisht se shpreson për një mandat të dytë presidencial, kurrë nuk e ka thënë këtë zyrtarisht.
Sipas disa raporteve të medieve ditët e fundit, persona të afërt me ish-presidentin janë shprehur se ai mund ta shpallë zyrtarisht kandidaturën së shpejti.
The Daily Telegraph shkroi se republikani mund ta konfirmonte kandidaturën për rizgjedhjen e tij nga Florida, shtëpia e guvernatorit Ron De Santis, një tjetër kandidat potencial dhe rivali i mundshëm i Trump nga radhët e së djathtës.
Edhe pse shumë republikanë thuhet se e mirëpresin ofertën e mundshme të Trump për rizgjedhje, përsëri ekziston frika se një njoftim i tillë do të largonte vëmendjen nga zgjedhjet afatmesme të planifikuara për t’u mbajtur në muajin nëntor.
Presidenti Joe Biden, rivali i Trump në zgjedhje, konfirmoi planet e tij për të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2024 vitin e kaluar.
Megjithatë disa demokratë e kanë vënë në dyshim rikandidimin e tij për shef të Shtëpisë së Bardhë.
Perspektiva e Trump për të kandiduar për një mandat të dytë forcohet nga avantazhi i tij sa i përket moshës kundrejt zotit Biden, sipas një sondazhi të fundit nga Kolegji Emerson.
Sondazhi i kryer në fund të qershorit, sugjeroi se mbështetja për ish-presidentin Trump ishte 44%, ndërsa për demokratin Biden 39%.

