Vihet në dyshim pushtimi i Luganskut, Moska dhe Kievi pretendojnë kontrollin e qytetit Lisiçansk

Si për çdo gjë tjetër, Moska dhe Kievi nuk bien dakord për aftësinë e dy ushtrive në kontrollin e territoreve në lindje të Ukrainës. Rusët pretendojnë se kanë pushtuar të gjithë rajonin e Luganskut, ndërsa Kievi thotë se ka ende nën kontroll një qytet në këtë krahinë.

Kievi dhe Moska pretendojnë të dyja kontrollin e qytetit Llisiçansk në rajonin e Lluganskut në Donbas.

Ukraina thotë se forcat e saj po përballojnë granatimet intensive ruse duke këmbëngulur se qyteti në lindje të vendit kontrollohet ende nga Kievi.

Ndërsa separatistët e mbështetur nga Rusia pretendojnë se e kanë pushtuar qytetin kyç me sukses, madje kanë arritur në qendër të tij.

Mediet ruse kanë publikuar pamje të forcave ushtarake të rajoneve separatiste Donjeck dhe Llugansk duke parakaluar nëpër rrugët e Llisiçanskt.

Ky qytet është i fundit në rajonin e Lluganskut që kontrollohet nga Ukraina.

Kujtojmë që muajin e kaluar forcat e Moskës pushtuan qytetin fqinj të Severodonjeckut, po në rajonin e industrializuar të Donbasit.

Guvernatori i rajonit të Lluganskut, Sergij Haida, tha se sulmet në qytetin e Llisiçanskut ishin ende aktive, por forcat ruse akoma nuk kishin arritur ta pushtonin atë, megjithëse po i afroheshin nga të gjitha anët.

Ndërsa ambasadori rus në të ashtuquajturën Republika Popullore e Lluganskut u tha medieve në Moskës se Llisiçansku ishte vënë nën kontroll të plotë, megjithëse ende nuk ishte çliruar.