REPORTAZH/ Itali, në mrekullitë e Pallatit Mbretëror më të madh në botë/ Fond special për ta rivlerësuar
Në zemër të Italisë, ndodhet një nga bukuritë unike në botë, pak i njohur nga turizmi i masës, pasuri e njerëzimit, e që po rikthen shkëlqimin e tij, falë fondeve speciale e vëmëndjes së qeverisë Draghi për të rivlerësuar trashëgiminë artistiko-kulturore kombëtare.
I poziconuar në veri të Napolit, në mes të natyrës së rajonit të Campanias, gjen një nga mrekullitë e pasurisë së artit e historisë italiane Pallati Mbretëror i Borbonëve.
Përballë tij mbetesh pa frymë!

Madhështia arkitektonike e impakti viziv i tij e që e ndesh sapo kapërcen rutinën e përditshme të një qyteze modeste e me halle si Caserta, sjell ndjesinë se gjithcka që ke para syve do të jetë një surprizë.
Surprizohesh se jo shumë larg Romës, e kaq pranë Napolit, ka një gjurmë të tillë historike për të cilën ke dëgjuar të flitet fare pak.
Versaja Italiane

Pallati Mbretëror i Casertas është një komplesk arkitektonik unik në botë, i ndërtuar nga familja mbretërore e Borbonëve, me kërkesë të mbretit Carlo i Borbonëve (1716-1788) për të qënë selia ideale e Mbretërisë së Napolit.
I konsideruar Versaja Italiane, më i madh se ai e Pallati mbretëror më i madh në notë, realizimi iu besua arkitektit Luigi Vanvitelli, e ndërtimi i saj zgjati gati një shekull, sa as ai e as mbreti Carlo, nuk mundën ta shihni të mbaruar.
Kjo ndërtesë unike e përfunduar më 1847, ka një bukuri madhështore me një arkitekturë pesë katëshe, që mbulon një sipërfaqe prej 47 mijë metra katrorë, me 1200 dhoma e 1742 dritare, si dhe me një pasuri të jashtëzakonshme arti, nga afresket, skulpturat e pikturat, e deri në arkivin dokumental e bibliotekën mbretërore të pasur me libra antikë.
Pozicionuar në qytetim e Casertas, zgjedhur enkas larg nga qëndra e kësaj Mbretërie, Napoli, e distancuar nga deti për t'u mbrojtur nga sulmet e anijeve armike, Pallati Mbretëror i Borbonëve është perla arkitektonike e artit barok italian e prej vitit 1997 nën mbrojtjen e Unescos, si një nga trashëgimitë kulturore, historike e artistike, pasuri e njerëzimit.
Prej pesë vitesh, Ministria e Kulturës i ka dhënë statusin e vecantë të autonomisë speciale muzeale me pavarësinë menaxhuese, financiare e shkencore, që nën strategjinë drejtuese të Tiziana Maffeit, përpiqet të jetë sot një vend sa historik, e aq modern, turistik e inovator.
Rivlerësimi i trashëgimisë kulturore

Qeveria italiane i ka akorduar Ministrisë së Kulturës e Turizmit, mbi 2 miliardë e 400 mijë euro nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes e Rilancimit të ekonomisë pas krizës pandemike, me objektiv investimet e projekteve në rivlerësimin e territorit, ruajtjen e respektin nga ambientit e adoptimin e inovacioneve tekonologjike bashkë me sistemin e dixhitalizmit të objekteve të artit, kulturës e historisë.
Rreth 85 milionë euro, prej këtij fondi i janë destinuar Pallatin Mbretëror më të madh në botë, e 25 milionë projektëve për restaurimin, vlerësimin e inovacionin e parkut të madh nga i cili rrethohet me një sipërfaqe 120 hektarë e 3.3 kilometra i gjatë, e ku janë pozicionuar shatërvanë, pishina, ujëvara, cezma, që furnizohen nga ujësjellësi Karolino i ideuar nga arkitekti i Pallatit Luigi Vanviteli.
Brenda këtij parku mbretëror gjigand në formën e një teleskopi, me kërkesë të mbretëreshës Maria Carolina, gruaja e Ferdinandit të IV, u ndërtua kopshti anglez, me natyrë e gjelbërim spontan e të egër, krejt ndryshe nga modeli i kopshtit italian me të cilin qe rrethuar Pallati mbretëror. Mes kopshtit anglez gjen liqenin e nimfave e vaskën e Venerës, një liqen artificial u rrethuar nga bimësia e egër e skulptura antike.
Për të rivlerësuar bukurinë natyrore territoriale, modelin kulturor e stilin e jetës në disa qytetërime, rëndësinë e kontaktit të njeriut me natyrën, në Pallatin Mbretëror të Casertas sapo është inaguruar ekspozita "Fragmente të parajsës, kopshtet ndër kohëra" e cila do të qëndroj e hapur deri më 16 tetor 2022.

"Fragmente të parajsës, kopshtet ndër kohëra"

Mbi 150 vepra arti, piktura, skulptura, skica, sixhade e objekte përbëjnë këtë ekzpozitë, e kuruar nga kritikët Alberta Campitelli, Tiziana Maffei e Alessandro Cremona-
Këto vepra arti kanë si objekt e temë frymëzuese oborrin, parku, marrëdhënien e njeriut me natyrën.
"Kopshti është vendi ku njeriu kërkon të gjej parajsën e përhershme, harmoninë e humbur me natyrën", thotë kuruesja Alberta Campitelli.
"E jo më kot në shumë kultura kopshti është sinonimi i parajsës".
Kopshti si skenografi arkitektonike, Kopshti e uji, Kopshti e botanika, Kopshti në Itali në raport me peisazhin, Kopshtet e Casertas, Kopshti e simbolika, Kopshti e natyra e egës, janë shtatë temat e përzgjedhura ndër 150 veprat përfaqësuese të kësaj ekspozite, shumë prej të cilave të huazuar dhe nga muzetë të tjera në botë si Muzeu i Versajës, Thyssen-Bornemisza e Madridit, Muzeu Prado i Madridit, Uffizzi e Pallati Pitti i Firenzes, Muzeu i Akademisë së Venezia etj.
Janë vepra të artistëve van Ëittel, Lorrain, Berninit, van Loo, Anesi, Utens e John Phipil Hackert, që shumicën e punimeve të tij ia ka dedikuar natyrës së kopshteve.
"Kjo ekspozitë është një operacion kulturor i dyfishtë,që synon të përhap tek publiku vlerat etike të bukurisë përmes artit të rekuperimit pas vitesh indiference, kulturën e artit të kopshtarisë, mjaft i zhvilluar në të shkuarën, si dhe t'i ofroj specialistëve të fushës një lexim rrëfyes të këtyre vepra arti, prodhuar gjatë kohërave nga qytetërime të ndryshme", shprehet Tiziana Maffei, drejtoresha e Pallatit Mbretëror të Casertas.
Ekspozita "Fragmente të parajsës" është pozicionuar në Apartamentin e Mbretëreshës, që ofron një panoramë magjepse që sheh nga Parku Mbretëror i këtij Pallati.
Prej tij e 3.3 kilometra në vijë linjeare rrjedh një ujëvarë uji që mbush shatërvanet, pishinat, cezmat, liqenet artificiale të akorduara përmes një sistemi hidrik sa antik aq e modern e që punon ende sot në mënyrë perfekte, sic është ujësjellësi mnretëror Karolino.












