Shpërthime të fuqishme mbi Ukrainë, kryebashkiaku apel banorëve: Qëndroni në strehimore!
Qyteti ukrainas Mukolaiv, u zgjua nga sirenat kundërajrore, që u pasuan nga shpërthime të fuqishme. Kryebashkiaku i bëri thirrje banorëve që të mos dalin nga strehimoret deri në qetësim të situatës. Ndërkaq rrjeti informativ BBC raporton se Rusia po vazhdon të përdorë raketa me rreze më të gjatë për të shënjestruar qytetet në të gjithë vendin.
Shpërthime të forta janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në qytetin ukrainas Mukolaiv, sipas kryebashkiakut Oleksandr Senkevich, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë strehimore.
Shpërthimet e fuqishme në qytet u paraprinë sirenat kundërajrore.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, forcat ruse kanë sulmuar portet jugore të Ukrainës duke përfshirë Kherson, Odesa, Mykolaiv dhe Mariupol që tashmë është në duart e tyre ndërsa përpiqen të shkëpusin Ukrainën nga Deti i Zi dhe të krijojnë një korridor tokësor nga Rusia në Krime, gadishulli që Rusia ka pushtuar në vitin 2014.
Në një analizë të sajën, rrjeti informative BBC raportoi këtë të shtunë se megjithëse fokusi i përpjekjeve të saj luftarake është në Ukrainën lindore, Rusia po vazhdon të përdorë raketa me rreze më të gjatë për të shënjestruar qytetet në të githë vendin. Natën e kaluar, rajoni i Odesës u godit përsëri.
Kjo ndodhi menjëherë pas tërheqjes së Rusisë nga Ishulli i Gjarpërinjve në perëndim të Detit të Zi. Por rajoni, si të tjerët, ka qenë në shënjestër gjatë gjithë luftës. Rusia pretendon se po synon objektet dhe infrastrukturën ushtarake. Por në realitet ajo shpesh godet zonat civile- si blloqet e apartamenteve.
Për shumë ukrainas, kjo duket e qëllimshme, një përpjekje për të thyer moralin e vendit. Por shpesh mund të ketë efektin e kundërt dhe të forcojë vendosmërinë perëndimore gjithashtu. Dhe, nëse Rusia me të vërtetë nuk donte të vriste civilë, kjo sugjeron që armët e tyre janë shpesh të pasakta.
BBC thotë se realiteti është se sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi të Rusisë tregojnë një dobësi po aq sa edhe forcë.
Shumica e këtyre sulmeve duhet të kryhen jashtë hapësirës ajrore të Ukrainës. Rusia nuk e ka ende kontrollin e qiejve. Kjo do të thotë gjithashtu se nuk është në gjendje të kryejë fluturime vëzhgimi dhe zbulimi mbi vend për të mbledhur informacione.
Rusia nuk e ka fshehur se po përpiqet që të godasë linjat e furnizimit ushtarak nga Perëndimi. Por ka pak prova se ka pasur shumë sukses- armët po kalojnë.
