SHBA dërgon raketa në Ukrainë, miratohet paketa e re për me vlerë 820 milionë dollarë
Ushtria ukrainase do të mbështetet nga SHBA me furnizime të reja me vlerë prej 820 milionë dollarë. Furnizimet e reja përfshijnë sisteme të mbrojtjes kundër-ajrore dhe raketa. Kjo paketë ndihme ushtarake vjen në një kohë që ushtria ruse ka shkaktuar viktima në radhët e qytetarëve ukrainas si pasojë e goditjes në objektiva civile si ndërtesat e banuara dhe qendrat tregtare.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mbështesin Ukrainën me një tjetër sasi armësh.
Pentagoni njoftoi të premten se do të ndihmojë Kievin me armë dhe municione shtesë, me vlerë prej 820 milionë dollarësh.
Pakoja e katërmbëdhjetë e armëve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për lëshuesit e raketave precize “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë municione artilerie të kalibrit 155 mm, si dhe katër radarë shtesë kundër artilerisë.
Sistemet e mbrojtjes kundërajrore, të njohura si NASAMS, janë sisteme të raketave tokë-ajër me rreze të shkurtë dhe të mesme veprimi.
Lëshuesit me telekomandë supozohet të ndihmojnë forcat ukrainase të mbrohen kundër raketave lundruese të ushtrisë ruse.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet për t’i përmbushur kërkesat e saj në fushën e betejës”, tha sekretari për shtypin i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së, Todd Breasseale.
Me pakon e re të armëve, e cila mbështetet në furnizimet ushtarake amerikane, vlera e totalit të alokimeve për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Vendimi vjen në një kohë kur ushtria ruse ka goditur ditët e fundit objektiva civile brenda territorit ukrainas duke shkaktuar viktima mes qytetarëve.

