Patriarku serb bën thirrje për vëllazëri me shqiptarët nga një manastir i Kosovës

Jo vetëm marrëdhënie të mira përmes aleancës Tiranë-Beograd në Open Balkan, kryeprifti i Serbisë ka bërë thirrje për vëllazëri me shqiptarët nga një manastir i Kosovës.

Pa incidente dhe në paqe është mbyllur përkujtimorja e serbëve për Vidovanin, siç njihet festa kombëtare dhe fetare serbe e cila njihet si dita kur përkujtohen shenjtorët serbë që luftuan kundër Perandorisë Osmane në shekullin e XIV.

Mesha e shenjtë në Gazimestan, pranë Fushë-Kosovës u drejtua nga kryepeshkopi i Beogradit dhe gjithë Serbisë, patriarku Porfirije.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në të morën pjesë edhe figura politikë të Beogradit që shërbejnë në Kosovë.

Ndër ta kreu i Listët Serbe dhe drejtori i së ashtuquajturës zyra e Serbisë për Kosovën, njëherazi kryenegociator i Beogradit në dialogun me Prishtinën, Petar Petkoviç.

Në fjalën e tij, kryeprifti i Serbisë si rrallë herë bëri thirrje për vëllazërim me shqiptarët e Kosovës.

Edhe myslimanët tha ai, besojnë në të njëjtin Zot.

"Duhet të ketë patjetër një vend edhe për shqiptarët me të cilët jetojmë. Jemi thirrur të jemi vëllezër me të gjithë, edhe me shqiptarët sigurisht mbi të gjitha sepse jetojmë këtu me ta. Zoti i krijoi të dy, të gjithë jemi ikona të Zotit. Dhe jam i sigurt se edhe ata e dinë se besojmë në një Zot, edhe librat ku ata më së shumti besojnë kërkojnë të njëjtën gjë që kërkojmë edhe ne, ne e kuptojmë," tha ai.

Disa ultranacionalistë serbë u ndaluan nga Policia e Kosovës për të marrë pjesë në përkujtimore.

Simbolet e tyre fyese ndaj Kosovës ishin shkaku që forcat e Prishtinës të ushtronin kontrolle intensive.

Disa prej tyre mbanin të veshur bluza me flamurin serb në territorin e Kosovës.

Edhe kryepeshkopi Porfirije edhe pse bëri gjoja thirrje bashkimi me shqiptarët, përsëri e quan Kosovën si vendin e origjinës së popullit serb.

"Të gjithë janë mbledhur këtu përmes liturgjisë së shenjtë, sado larg të jemi nga ky vend, e dimë se kur vijmë këtu, e kuptojmë se ky vend në Kosovë është vendlindja jonë, ne e kemi origjinën këtu, ne kemi lindur këtu," tha kryepeshkopi.