Dyrrahu u dogj nën romakët?Arkeologët gjejnë gjurmë në banesat e shekujve II e III pas Krishtit

Dy banesa të shekullit të dytë dhe të tretë pas lindjes së Krishtit me gjurmë të qarta djegie të zbulara së fundmi ngrenë dyshime se qyteti i Durrësit mund të jetë djegur gjatë periudhës romake. Ekspedita shqiptaro-franceze nxori në dritë zbulime të rëndësishme, por sërish nuk e gjeti portin antik.

Kjo statujë e vogël bronzi, e që mendohet se i përket perëndeshës Artemisë, u zbulua në Durrës gjatë gërmimeve arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-franceze.

Objekti u gjet në një banesë të datuar si e shekullit të dytë pas Lindjes së Krishtit, që sikurse një tjetër e një shekulli më vonë po në zonën Forumit Bizantin i bëjnë arkeologët të dyshojnë se Durrësi u dogj gjatë periudhës Romake.

Catherine Abadie Reynal: Kemi arritur të kapim nivelin e periudhës romake dhe kemi zbuluar dy nivele banesash. Njëra e shekullit të tretë dhe e dyta e shekullit të dytë pas krishtit. Të dyja janë të shkatërruara si pasojë e djegies. Veçanërisht, banesa e shekullit të dytë është shumë e pasur në gjetje, pasi zjarri ka shkatërruar gjithçka pa u dhënë mundësinë njerëzve të marrin objektet e jetës së përditshme.

Për arkeologen shqiptare Brikena Shkodra, gjetjet tregojnë evoluimin e qytetit bregdetar ndër shekujt.

Brikena Shkodra: Ky gërmim na dha mundësinë që të dokumentojmë të gjitha gjurmët e transformimit që ky Monument ka pësuar përgjatë periudhës historike.

Veç forumit Bizantin, gërmimet u përqëndruan edhe pranë kishës katolike Shën Luçia.

Synimi i arkeologëve është zbulimi i vendndodhjes së portit të hershëm të Dyrrahut, por ende pa rezultat.