Zbulim i ri arkeologjik në Durrës, gjendet skulptura e Artemisës në bronz
Një zbulim i ri arkeologjik është bërë në Durrës. Ditën e sotme në përfundim të punimeve është zbuluar nga gërmimet tek rotondo një skulpturë e Artemisës rreth 12 cm e gjatë.
Skulptura është në Bronz.
Objekti u gjet në një banesë të datuar si e shekullit të dytë pas Lindjes së Krishtit, që sikurse një tjetër e një shekulli më vonë po në zonën Forumit Bizantin i bëjnë arkeologët të dyshojnë se Durrësi u dogj gjatë periudhës Romake.
Catherine Abadie Reynal: Kemi arritur të kapim nivelin e periudhës romake dhe kemi zbuluar dy nivele banesash. Njëra e shekullit të tretë dhe e dyta e shekullit të dytë pas krishtit. Të dyja janë të shkatërruara si pasojë e djegies. Veçanërisht, banesa e shekullit të dytë është shumë e pasur në gjetje, pasi zjarri ka shkatërruar gjithçka pa u dhënë mundësinë njerëzve të marrin objektet e jetës së përditshme.
Për arkeologen shqiptare Brikena Shkodra, gjetjet tregojnë evoluimin e qytetit bregdetar ndër shekujt.
Brikena Shkodra: Ky gërmim na dha mundësinë që të dokumentojmë të gjitha gjurmët e transformimit që ky Monument ka pësuar përgjatë periudhës historike.
Veç forumit Bizantin, gërmimet u përqëndruan edhe pranë kishës katolike Shën Luçia.
Synimi i arkeologëve është zbulimi i vendndodhjes së portit të hershëm të Dyrrahut, por ende pa rezultat.