Zbulohet parcelë me kanabis në Himarë
Janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen si të përfshirë në kultivim të bimëve narkotike.
Arrestimi i tyre u bë falë operacionit policor të koduar "Gjimlik".
Të arrestuar janë 39 vjeçari me inicialet R. C. banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e vjedhjes si dhe 33 vjeçari me inicialet D. A. banues në Vlorë.
"Gjatë kontrollit, në fshatin Vuno, Himarë, në vendin e quajtur “Gjimlik”, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike canabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis (bimë në proces tharjeje)", njofton policia.
Dyshohet se autorët e kësaj veprimtarie kriminale janë dy të rinjtë 33 dhe 39 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.
