Berisha tryezë me avokatët: Me hartën e re po synohet centralizimi i sundimit të qeverisë Rama
Partia Demokratike mblodhi në një tryezë avokatë dhe specialistë të profesioneve të lira për të trajtuar ngërçet e sistemit të drejtësisë dhe problemet që ka shkaktuar harta e re gjyqësore.
Duke e cilësuar refromën në drejtësi si një nismë të Xhorxh Sorosit, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se me hartën e re po synohet centralizimi i sundimit të qeverisë Rama.
Berisha: Edi Rama pasi ka përqendruar të gjithë gjykimin e Gjykatës së Lartë në dorë të Sadushit, do ta përqendrojë gjykimin në Apel në dorë të të shoqes së Sadushit, Edlira Petro, e cila edhe sot bën ligjin, bën komunikatat, bën dallditë. Gjykata e Apelit është e tëra në sundimin e çiftit Sadushit. Por tani na duhet që Edi Rama të ushtrojë kontrollin total në të gjitha çështjet, duhet që të ketë vetëm një Gjykatë dhe kjo Gjykatë të jetë në Tiranë. Një eksperiment i turpshëm, të cilin e kanë bërë në vitin 1999 PS-ja dhe e zhbëri sepse ishte një goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë. Këto janë qëllimet e vërteta të hartës së re të drejtësisë, një përqendrim total.
Në fjalën e tij ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ironizoi reformën në drejtësi, të cilën e cilësoi si të dështuar, ndërsa shtoi se vendi ka nevojë për shtet dhe ndarje të pushteteve.
Manjani: Ne kemi nevojë për shtet mbi politikën. Ndarja e pushteteve duhet të funksionojë kështu, është gjykata dhe pastaj të tjerat. Na duhet një gjykatës i përjetshëm që të vdesë aty në sallën e gjyqit. 'Let's go America'!Ta bëjmë si në Amerikë, patjetër, por jo ligje bolshevike me fytyrë kineze që flasin anglisht. Nuk ka kuptim, nuk shkon kjo!
Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani, duke shprehur qartë kundërshtinë e tij për hartën e re gjyqësore, tha se zbatimi i saj do i lërë bizneset të papërfaqësuara, qytetin pa institucione dhe qytetarët pa akses në drejtësi.
Petani: Durrësit i shkrihen tre gjykata, Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, Gjykata e Shkallës së Parë Administrative dhe Gjykata e Apelit Durrës. Qyteti i Durrësit po zbrazet nga institucionet. Po i largohen gjykatat, kur qytetin e fuqizojmë nga zhvillimet, e zhveshim nga institucionet, pakësohen shërbimet. Kundërshtojmë këtë hartë, do sjellë shumë pasoja. I heq të drejtën qytetarit të ketë akses në drejtësi.
Kjo tryezë e Partisë Demokratike vjen në një kohë kur avokatët janë të përçarë në bojkotin e tyre të seancave gjyqësore në shenjë proteste kundër hartës së re, dhe gjyqtarëve që e mbështesin atë.
